Lufta në Ukrainë, përballja e tankeve në fushën e betejës

Nga A2 CNN
20 Prill 2023, 17:22 | Bota

Lufta në Ukrainë po shikon angazhimin e të gjitha armatimeve të mundshme konvencionale. Që nga përdorimi i armëve të zjarrit, e deri te përdorimi i avionëve, dronëve, helikopterëve dhe anijeve.

Aktualisht, në Ukrainë është duke u zhvilluar një luftë simetrike, pra kemi përballjen e mirëfilltë të dy ushtrive me strukturë fikse. Vetë Ukraina duke qenë se është një territor shumë i madh, gjen vend edhe arma e tankut, ku ajo mund të përdoret në luftën asimetrike, por edhe në front të hapur.

Sipas informacioneve, përpara luftës në Ukrainë, ushtria ruse kishte rreth 13 mijë tanke, ku përfshiheshin rreth 3 mijë tanke në gjendje operacionale. 650 T-72B/BA, 850 T-72B3, 530 T-72B3M, 310 T-80BV/U, 140 T-80BVM, 350 T-90/T-90A dhe një numër të papërcaktuar T-90M, dhe në konservim rreth 10.200 tanke ku përshihen T-54/T-55, T-62, T-72, T-72A/B, T-80B/BV/U dhe T-90.

Sipas Oryx, një organizatë e pavarur analistësh që merret me dokumentimin e ekuipazhimeve të humbura gjatë luftës, mendohet se humbjet ruse në tanke gjatë vitit 2022 kanë arritur në rreth 1700-1800, ku përfshihen tanke të shkatërruara, dëmtuara apo kapura.

Kjo do të thotë që rusët mund të kenë humbur të paktën gjysmën e fuqise së tyre të tankeve në frontin ukrainas.

Sipas të dhënave, rezervat e ushtrisë së Putin me T-72 kanë ndryshuar për keq. Në mes të shkurtit të 2022, Rusia shkoi në luftë me rreth 2 mijë T-72M3 dhe derivate të tjera, me top 125 mm dhe me një ekuipazh prej 3 personash.

Në 12 muajt e parë, Ukraina ka shkatërruar ose kapur rreth 1200, T-72 nga të githa modelet. Sipas Oryx rreth 80% e humbjeve ruse janë të modelit T-72.

Tashmë të gjithë e dimë se perëndimi i dhuroi Ukrainës rreth 10 mijë raketa hedhëse antitank Javelin dhe NLAW për t’u përballur me numrat e frikshëm të tankeve që rusët angazhuan në fillim. Por pse ishin kaq shumë efektive këto armë ndaj tankeve ruse.

PROBLEMI "JACK IN BOX EFFECT"

Tanket ruse që janë shkatërruar në luftën në Ukrainë, kryesisht i përkasin periudhës sovietike. Perëndimi e njeh këtë problem prej dekadash duke iu referuar si “Jack in box effect”.

“Jack in box effect”- i referohet shktatërrimit të tankut, si pasojë e shpërthimit të municioneve, që pasohet me shpërthimin e kullës duke e shkëputur atë nga shasia e tankut. Ky etiketim vjen nga një lojë fëmijësh që perëndimi e njeh si “jack in the box” dhe ka të bëjë me një lodër që pasi e kurdis, del nga kutia”.

Problemi më i madh i këtyre tankeve ka të bëjë me vendosjen e muncioneve brenda tankut. Ndryshe nga tanket perëndimore, ato sovietike mbajnë një numër të konsiderueshem predhash në atë që quhet karosel për të bërë mbushjen automatike. Kjo i bën shumë vulnerabël, pasi edhe një goditje jodirekte mund të shkaktojë një shpërthim zinxhir të predhave, që në një tank shkojnë të paktën deri në 40 të tilla. Problemi qëndron se karoseli që mban predhat qëndron menjëherë poshtë kullës, duke mos pasur një ndarje nga ekuipazhi.

Ky problem erdhi në vëmendjen e vendeve perëndimore gjatë luftës së parë të gjirit në vitin 1991 dhe më pas në vitin 2003 ku tanket iraken T-72 të prodhimit sovietik kishin të njëjtin problem.

Për disa specialistë sistemi me vetëmbushje në tanke ka dhe benefitet e tij. Rusët kanë zgjedhur të kenë më shumë hapësirë brenda tankut duke i dhënë atij një profil më të ulët dhe duke e bërë më të vështirë për t’u goditur në fushën e betejës.

Te tanket perëndimore si psh: Abrams M1 apo Leopard 2 A6, predhat qëndrojnë në një hapësirë të veçantë e cila është e mbylllur me një derë. Ajo hapet dhe mbyllet vetëm kur merren predhat. Pra nëse kulla do të goditej, vetëm predha që është në top do të shpërthente, duke bërë që ekuipazhit t'i shtohen mundësitë për të mbijetuar.

T-72 është një tank që hyri në përdorim në vitin 1973 dhe përbën pjesën më të madhe të armatimit rus. Që prej viteve 2000, rusët zgjodhën të investonin më shumë në modernizimin e tij, duke i shtuar disa paketa përmirësimi. Sinjalizim ndaj lazerve, optika për shikim termal, adaptimi me municione të shekullit të 21, vendosjen e ERA (Explosive Reactive Armor) etj., ishin disa nga përmirësimet e bëra në modelet T-72B3.

Por në përgjigje të këtij problemi rusët në fillim të dhjetorit nisin në front një model tjetër të përmirësuar të T-72. Ai mendohet se quhet T-72 B4 ose T-72B3M2. Në modifikimet e bëra është përmirësimi i blindit të sipërm kundër raketave Javelin, madje mendohet se është bërë edhe një ndarje tashmë nga karoseli i muncioneve.

Aktualisht, ushtria ruse ka një numër shumë të madh T-54/T-55 në magazinat e saj si rezerva. Ky model ka një formë të thjeshtë ndërtimi, çfarë e bën mirëmbajtjen dhe riparimin e defekteve në mënyrë të thjeshtë dhe të shpejtë.

Këto modele mund të përdoren në bashkëpunimin me njësi të tjera si këmbësori, artilieri dhe mbështetje ajrore në mënyrë për të rritur efektivitetin në fushëbetejë. Duke bashkëpunuar së bashku të gjitha këto njësi, mund të ndihmojnë në kompensimin e aftësive të limituara të T-54.

Pavarësisht se këto tanke i përkasin periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, ato mbeten ndër tanket më të mirë të të gjitha kohëve. T-54 dhe T-55 mund të përdoren në mënyrë efektive në skenarë të luftës asimetrike, si kundër njësive guerrile ose në luftën urbane, ku dhe mangësitë e tyre mund të jenë më pak të dukshme. Në këto ambiente T-54 mund të ofrojë zjarr mbështetës të vyer për këmbësorin dhe shërben edhe si një platformë mbojtëse lëvizëse.

Këto tanke mund edhe të përdoren në role mbrojtëse, si fortifikime ose për taktika pritash duke maksimalizuar aftësitë e këtyre armëve. Duke vendosur këto tanke në pozicione mbrojtëse, T-54 dhe T-55 mund të përbëjnë një rrezik për tanket modern.

T-54/T-55 ka një top 100 mm shumë më të dobët se ai i tankeve moderne. Por ata mund të jetë shumë efektive ndaj mjeteve të lehta të blinduara, por edhe këmbësorisë.

T-54 është një tank që u vendos në shërbim në fund të viteve '40 për të zëvendësuar tankun e Luftës së Dytë Botërore T-34. T-54 i është nënshtruar disa varianteve të përmirësuara si T-54A dhe T-54B, i cili është edhe version më i ri i tij. Ai është i pajisur me një stabilizator për topin, si dhe optik për shikimin natën dhe rreze infra të kuqe për qijtje gjatë natës.

T-54 dhe T-55 përbënin edhe pjesën më të madhë të tankeve në ushtrinë Shqiptare, por fatkeqësisht ata u demontuan.

TANKET E UKRAINËS

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovietik, Ukraina trashëgoi rreth 2 mijë T-64, 1 mië T-72s dhe 300 T-80.

Dominuesi në arsenalin ushtarak të Ukrainës është T-64, i cili u zhvillua në Karkiv gjatë viteve '60. Në atë kohë T-64 ishte superior ndaj tankeve të NATO. Në vitin 1999, ai iu nështrua modifikimit të parë nga fabrika duke u bërë T-64 BM Bulat. Ai hyri në shërbim në vitin 2005 dhe në luftime në vitin 2014 kur Rusia nisi aneksimin e rajoneve.

Modeli i ri i T-64 Bulat, ka një top 125 mm dhe qëllon si predha ashtu edhe raketa antitanke. Mund të qëlloi predha deri në 2, 5 km gjatë ditës dhe 1.5 gjatë natës.

Është i pajisur me sistem të mbrojtjes pasive, si dhe me një sistem të ri mbrojtjeje i quajtur NOZH(Explosive reactive armor), i cili ështe projektuar për të duruar predhat kinetike dhe goditje e vazhdueshme të njëpasnjëshme.

Ndër përmirësimet e tjera të bëra në T-64 Bulat janë ulja me 33-55% e gabimit në qijtje, falë stabilizatorit të ri. Zjarr më të shpejtë dhe sistem atomatik gjurmimi e cila ul me 2-3 sekonda kohën e goditjes. Aftësi për luftimin natën dhe aftësinë e tij për të zbuluar armikun në një distancë prej 1 milje.

Ukraina zotëron edhe tankun, T-84U Oplot i cili është një prodhim vendas. Projektimi nisi në vitin 1994, ndërsa hyri në shërbim në vitin 2009. Ai është i pajisur me një motor prej 1200 kuajsh fuqi dhe mund të lëvizi deri në 75 km/h. Topi i tij është 125mm ndërkohë ka një sistem të përmirësuar zjarri. T-84U Uplot përdor një sistem vetëmbushës që mban 28 predha, ndërsa mund të qëllojë 7 deri në 9 predha për minutë, si dhe 2 deri në 3 raketa në minutë. Falë mundësisë së tij për të lëshuar edhe raketa, ai mund të përdoret edhe ndaj helikopterëve deri në një distancë prej 5 kilometrash.

HUMBJET E UKRAINËS

Por humbjet e tankeve edhe në anën e ushtrisë ukrainase kanë qenë të konsiderueshme. Sipas të dhënave, Ukraina hyri në luftë me rreth 850 tanke T-64 Bulat, operacional. Në 11 muajt e parë, ukrainasit humbën rreth 40% të këtyre tankeve 40 tonësh me ekuipazh prej 3 personash. Por sipas IISS, Ukraina gjatë luftës, deri më tani, ka humbur 450-700 tanke, duke lënë vetëm 950 tanke operacionale.

Kjo ndërkohë shpjegon edhe arsyen e insistimit të Kievit zyrtar, për të marrë nga perendimi tanke të modelit të NATO.

LEOPARD 2A6

Tanku Leopard ofron një mbrojtje të mirë ndaj predhave blind shpuese, si dhe ndaj armëve antitank. Raportohet se Leopard 2 është në gjendje të shpojë blindin e tankun T-72 të periudhës sovietike në një distancë prej 2 mijë metrash, ndërsa T-62 nga një distancë prej 4 mijë metrash. Të dyja tanket aktualisht janë duke u përdorur në frontin ukrainas. Falë modifikimeve të bëra, kompania Rheinmetall ka arritur që Leopard 2 të përdori edhe raketat antitanke të prodhimit Izraelit LAHAT, duke goditur objektiva në një distancë deri në 6 kilometra.

M1 ABRAMS

M1 Abrams, tank shumë i manovrueshëm, por pak efektiv përsa i përket konsumit të karburantit.

Ka një motor me turbinë prej 1500 kuajsh fuqi, çka bën që të ketë një konsum të madh. Abrams mund të bëjë diferencën në fushëbetejë, falë fuqisë së tij vdekjeprurese, sigurinë për ekuipazhin dhe manovrimin e madh të tij.

CHALLENGER 2

Challenger 2 është tanku kryesor britanik, i cili ka parë frontin në luftën e Bosnjës, Kosovës dhe Irakut.

Ka një top prej 120 mm dhe nje ekuipazh prej 4 personash. Ushtria britanike thotë që deri më tani nuk ka asnjë humbje të këtij tanku nga armiqtë.

Aktualisht, tanku Leopard 2 A6 është më moderni që perëndimi po dërgon në Ukrainë. Duket se kjo armë është kthyer në një shqetësim të madh për ushtrinë ruse.

Madje kjo ka bërë që ekuipazhet e tankeve T-90M të nisin stërvitjen duke identifikuar pikat vulnerabël të tankeve perëndimore. Me anë të një videoje të shpërndarë nga Ministria e Mbrojtjes në Rusi, tregohet se si këto ekuipazhe kanë nisur të studiojnë tanket perëndimore.

Por kur i krahason të dyja tanket Leopard 2A6 dhe T-90 M, tanku perëndimor ka disa avantazhe të dukshme. Pavarësisht se topi i Leopard 2 A6 është një kalibër më i vogël 120 mm përballë atij 125 mm të T-90M, falë shënjestrimit me lazer mund të godasi objektivin me predha antitank në një distancë prej 8 kilometrash. Në të kundërt tanket ruse kanë një efektivitet nga 3 deri në 5 kilometra. Një avantazh tjetër i Leopard është edhe aftësia e tij për të goditur në lëvizje me saktësi shumë më të lartë se rivalët, çka i jep një avantazh shumë të madh në fushëbetejë.

Pavarësisht se topi i T-90M është më i fuqishëm duke pasur avantazhet e tij, shumë e rëndësishme mbetet cilësia e municioneve të përdorura, trajnimi i ekuipazheve, si dhe situata taktike.

Por si do dhe kur do të ndikojnë këto tanke në front? Janë shumë faktorë që do të përcaktojnë suksesin e tankeve perëndimore në Ukraine. Që prej nisjes së luftës, ushtria e Ukrainës ka treguar një superioritet ndaj ushtrisë ruse në përballjen me tanket ruse.

SA DO TË NDIKOJNË TANKET?

Numrat në fushëbetejë

Shumë të rëndësishëm mbeten edhe numrat. Pavarësisht se sipas IISS, Rusia mendohet të ketë rreth 10.200 tanke në rezervat e veta, nuk dihet se si është gjendja e tyre operacionale. Korrupsioni, por edhe kanibalizimi kanë bërë që një pjesë e tyre, mundësisht edhe të madhe, të kenë probleme ose edhe të mos jenë më.

Numrat e tankeve kanë rëndësinë e tyre, por aftësitë specifike të tankut kanë edhe më shumë rëndësi. Duke iu referuar luftës së parë të gjirit të vitit 1991, tanket amerikane u përballën me ato të Gardës Republikane Irakene. Edhe pse amerikanët kishin shumë më pak tanke se kundërshtarët të cilët përdornin tanke sovietike, ata fituan. Kjo falë ekuipazhimeve të sofistikuara ku amerikanët arrinin të identifikonin në kohë rekord kundërshtarët dhe t'i eliminonin. Por një rëndësi të veçantë kishte edhe doktrina e tankeve amerikane.

Koha e dërgimit

Ende nuk është e qartë kur Ukraina do të arrijë të marrë të gjitha tanket Leopard dhe Abrams dhe akoma më e rëndësishme është kur ato do të shikojnë fushën e betejës. Kur Rusia nisi një vit më parë luftën e pati të vështirë për të avancuar, kjo për shkak të motit. Të dyja anët e frontit janë duke akumuluar rezerva për të bërë një ofensivë të madhe në verë dhe për këtë tanket duhet të jenë aty përpara verës.

Trajnimi, mirëmbajtja dhe logjistika

Dërgimi i tankut në Ukrainë është një gjë, por mbajtja e tij në gjendje operative me municione dhe pjesë këmbimi, si dhe dërgimi i tyre aty ku duhet në mënyrë që të ketë impakt në betejë, është një gjë tjetër. Rusia ka pasur shumë vështirësi përsa i përket logjistikës. Ukraina ka në avantazhin e saj se lufton në territorin e saj. Deri më tani, ajo ka treguar se ka qenë shumë fleksibël duke pasur dërgim të vazhdueshëm të furnizimeve, por për të dërguar pjesë dhe muncioneve të huaja do të jetë me të vërtetë sfiduese. Si Leopardët, Ambrams dhe Challenger kanë pjesë të ndryshme nga çdo gjë që ushtria ukrainase ka parë më parë. Se sa shpejt do të dërgohen këto në Ukrainë dhe më pas në front për ekuipazhet e tankeve, do të jetë vendimtare se sa këto tanke do të kontribuojnë.

Edhe trajnimi i ekuipazheve do të jetë vendimtar në fushën e betejës. Si ekuipazhet do të reagojnë për të riparuar defektet e mundshme, do të jetë vendimtare. Gjithashtu, mirëmbajtja që këto ekuipazhe do të duhet të tregojnë për tanket e tye, do të jetë e rëndësishme. Edhe pse trajnimi i ekuipazheve të tankeve në mirëmbajtjen e tyre kërkon rreth 24 javë si në rastin e Abrams, në raste specifike mund të jetë edhe më e shkurtër. Mirëmbajtja e këtyre armëve ka bërë që disa nga ekspertët të jenë dyshues për efektin e këtyre tankeve në front.

Aftësitë në vendosjen dhe përdorimin e tyre në fushë të betëjës

Në fund pasja e këtyre tankeve në dispozicin dhe përdorimi i tyre në mënyrë të efektshme janë dy gjëra krejtësisht në ndryshme. Gjithçka do të varet nga se si ushtria ukrainase do t'i përdorë këto tanke. Do i përdori si armë sulmi apo mbrojtje. Do kërkojë të ketë përballje direkte me tanket ruse apo do i përdorë për objektiva më të lehta. Do i përdorin tanket si armë antitanke, apo do mbështeten sërish te Javelinët dhe do i përdorin tanket për qëllime të tjera.

TANKET E GJENERATËS SË FUNDIT

Ju duket familjar emri Panter, kur bëhet fjalë për çështje ushtarake. Po, Panzerkampvagen V, ose i njohur si Panther ishte nje nga tanket gjermane të Luftës së Dytë Botërore, i projektuar në vitin 1942 për t'ju përgjigjur tankut rus T-34. Ai pa frontin për herë të parë në betejën e Kursk, pikërisht në Ukrainë dhe shërbeu në të dyja anët e frontit dhe pa asnjë diskutim ishte një nga tanket më të mirë të Luftës së Dytë Botërore.

Por tashmë 80 vjet pasi Panzervagenkampf V u projektua, Gjermania dhe kompania ushtarake Rheinmetall prezantoi KF 51 Panter në panairin e armëve Eurosactory ne 2022 në Francë. Tanku i gjerenatës së fundit kishte rreth 40 vjet që kur Gjermania nuk prodhonte më modele tankesh të reja. KF 51 është një pasardhës i Leopard 2. Ai debutoi në vitet '80 dhe është ende në shërbim në shumë vende të botës, kryesisht të aleancës. Leopard 2 është përmirësuar vazhdimisht deri në versionin e fundit të tij Leopard 2 A7. Por siç do sistem që përmirësohet, eventualisht në një pikë bëhet e pamundur vendosja e këtyre pëmirësimeve në sistemet e vjetra. Për këtë, për të shkuar përpara, ishte projektimi i një tanku tërësisht të ri.

KF 51 Panter ka një kullë më të madhe se Leopard me kënde më të mprehta, një top më të madh prej 130 mm dhe municione më të fuqishme. Sipas të dhënave, topi 130 mm është të paktën 50% më efektiv në distancë dhe më i fuqishëm. Megjithatë, vendet e NATO-s si SHBA-ja, Gjermania dhe Franca në fillim të viteve '90 nisin të eksperimentonin me këtë kalibër, por duke qenë se marrëdhëniet me Rusinë ishin të mira u la si projekt.

Ashtu si Leopard 2, KF 51 përdor një sistem vetëmbushje për topin kryesor. Per shkak të këtij mekanizmi vetëmbushës, ekuipazhi i KF 51 është prej tre vetash, por me mundësi edhe për shtimin e një të katërti. Mekanizmi i vetëmbushjes mban 20 predha, madje në testet e zhvilluara ai mund të qëllonte 3 goditje në 16 sekonda.

Mitralozi i kullës që lëviz me aksin e saj është 12.7 milimetra duke dhënë kështu mundësinë për të angazhuar objektiva më pak të mbrojtura si kamion, blinda të lehte, artilieri dhe këmbësori duke bërë kështu të panevojshëm goditjen me topin 130 mm.

Ndërkohe Pantera është i ekuipazhuar edhe me risi të tjera. Ai ofron një shikim digjital për komandantin prej 360 gradësh. Një mitraloz i dytë i vendosur në tank me një kalibër prej 7.62 milimetrash mund të komandohet direkte nga brenda tankut, kundër dronëve kamikazë dhe raketave. Gjithashtu, tanku mund të lëshojë edhe 4 quadkopters për misione zbulimi. Ai është i pajisur me një sistem të lëshimit të dronëve. KF 51 mund të lëshojë 4 raketa HERO 120, të prodhimit izraelit që mund të fluturojnë për 60 minuta përpara se të godasin objektivin. Kjo i jep mundësi tankut të godasë kundërshtarë jashtë linjës së shikimit.

Ndërkohë duke marrë parasysh humbjet ruse në Ukrainë nga raketat Javelin, KF 51 është i paisur me një blind shumë më të fortë për të mbrojtur pjesën e sipërme të tyre.

Por projekti i KF 51 Panter, erdhi si një përgjigje ndaj tankut rus të gjeneratës së fundit T-14 Armata i prezantuar që në vitin 2015 në paradën e fitores në sheshin e kuq në Moskë.

Armata T-14 si paraardhësit e tij ka një top prej 125 mm. Ai përdor predha të quajtura me Vakum të cilat mund të shpojnë deri në 900 mm blind. Gjithashtu, T-14 mund të qëllojë edhe raketa Invar të cilat mund të godasin objektivin deri në 5 kilometra. T-14 është i pajisur edhe me raketa kundër helikopterëve. Armatimi dytësor i tij janë dy mitralozë. Njëri i montuar në kullë dhe një mbi tank. Të dy kontrollohen automatikisht nga brenda tankut pa bërë që ekupiazhi të rrezikojë jetën duke dalë jashtë.

Përsa i përket mbrojtjes sipas burimeve, T-14 ka sistemin Afganit që është për mbrotje si ndaj predhave me energji kinetike të lëshuar nga tanket, ashtu edhe për raketat e lëshuara nga Javelin. Në sistemin e saj të mbrojtjes janë përfshirë edhe zhurmues për devijimin e raketave dhe predhave të drejtuara me lazer.

Ndër lajme kryesore të javës së kaluar ishte mundësia që Kompania Rheinmetall të ndërtojë një uzinë tankesh në Ukrainë. Plani parashikon që uzina të prodhojë deri në 400 KF 51 Pantera në vit, për ushtrinë ukrainase. Drejuesit e kompanisë u shprehën optimistë se uzina mund të mbrohet me sisteme kundërajrore ndaj bombardimeve ruse. Sipas drejtuesve të Rheinmetall, Ukrainës i duhen të paktën 600-800 tanke për të fituar luftën dhe për këtë prodhimi duhet të nisë sa më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos