
Granit Xhaka pret që në mesin e muajit të ardhshëm të bëhet prind për herë të parë dhe mesfushori i Arsenalit ka deklaruar se ka vendosur t’i qëndrojë pranë bashkëshortes së tij në këto, edhe me koston se nuk do të marrë pjesë në ndeshjet e klubit dhe përfaqësueses së tij.
“Në jetë ka shumë gjëra mjaft të rëndësishme përtej futbollit. Një nga këto është të bëhesh baba. Me Seferoviçin kishim rënë të gjithë dakord që do të jepte maksimumin me Irlandën dhe më pas do të ikte për t’i qëndruar pranë të shoqes. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me mua”, deklaroi lojtari që luan me përfaqësuesen e Zvicrës.
Bashkëshortja e tij pritet të lindë rreth mesit të muajit të ardhshëm, kohë kur është planifikuar një tjetër ndërprerje e kampionateve, për t’u lënë vend eliminatoreve, ndërsa mesfushori e ka ndarë mendjen të lërë mënjanë futbollin. (A2 Televizion)