Sfida e 90 familjeve, jetesë primitive buzë plazhit në Vlorë

Nga Edi Ruçi dhe Gazmend Janku
10 Nëntor 2026, 12:24 | Sociale

Këto pamje, sado që mund të duken të padenja, qoftë edhe për t’u parë, në fakt janë banesat e të paktën 90 familjeve në zonën e plazhit të vjetër në Vlorë. Këto godina gjysmë të rrënuara njiheshin më parë si kabinat e plazhit të vjetër dhe që nga vitet '90 janë kthyer në banesa sociale për familjet në pamundësi ekonomike, por jetesa në to tejkalon edhe sfidën për mbijetesë.

“Banesa është... Ja, ju shikoni vetë si është këtu. Gërmadha, gërmadha. Suvaja është e rënë fare. Se shiko ku e ke lagështinë. Ja, lagështia fillon që aty edhe aty te televizori. Ja, që ku fillon, që aty lagështia”, thotë një banore për A2 CNN. “Kushtet shumë të këqija janë. Lagështirë, muret që i kemi bërë dy herë edhe janë prishur prapë. Po frikë se do bien këto, do na zënë përposh”, tregon një tjetër. “Ndonjë ditë mund të na zërë dhe korrenti, se korrentin e kalojmë për muri kështu, se korrenti brenda nuk mbahet”, thotë një  e moshuar.

Në fakt, mundësia që u jep Bashkia e qytetit duket e pamundur për këta banorë, të cilët nuk mund as të kërkojnë banesa me qira.

Bashkia e Vlorës u ka dhënë si mundësi familjeve të cilat jetojnë te kabinat e plazhit të vjetër bonusin e qirasë. Por, për shkak të situatës së tyre sociale, këto familje nuk munden që të gjejnë shtëpi në qytet, që të mund të paraqesin kontratën te Bashkia e Vlorës për të përfituar edhe bonusin e qirasë, duke i detyruar në këtë mënyrë që të qëndrojnë në këto kushte. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos