I arrestuari për grabitjen e dy bankave në Tiranë rezulton të ketë precedentë të shumtë penalë. Sipas hetimeve të policisë, ai ka qenë i dënuar në Greqi për të njëjtat vepra, si pjesë e një grupi kriminal të zbuluar në vitin 2010. Në atë kohë, autoritetet deklaruan se shuma e parave të grabitura nga grupi gjatë tre viteve mund të kalonte 1,2 milionë euro. Pasi ishte arratisur dhe ishte kapur sërish, mësohet se ai doli nga burgu në vitin 2019, por dyshohet se vijoi aktivitetin e paligjshëm.
Prokuroria e kishte në përgjim për grabitjen e qershorit, ndërsa për ngjarjen e 2 nëntorit, identifikimi i tij u bë pas verifikimit të lëvizjeve, shkruan A2 CNN. Pasi mori rreth 55 mijë euro, autori u largua me monopatinë dhe më pas me një makinë të marrë me qira. Gjurmët e çuan policinë te kompania që kishte mjetin në pronësi, nga ku u identifikua 50-vjeçari Robert Duka.
Sipas burimeve nga hetimi, dyshohet se në të dyja degët e bankave ai ka marrë, nën kërcënimin e armës, rreth 120 mijë euro. Pjesën më të madhe të parave dyshohet se e ka shpenzuar në kazino, ndërsa rreth 6 mijë euro i ka përdorur për të shlyer borxhet. Dy mijë euro të tjera iu sekuestruan në banesë.
Në pyetje nga policia mësohet se është marrë edhe bashkëshortja e Robert Dukës, e cila punon pranë një banke të nivelit të dytë në Tiranë. Ajo ka deklaruar se një shumë prej 120 mijë eurosh e kishin siguruar nga shitja e një apartamenti në zonën e stadiumit dhe se nuk kishte dijeni për përfshirjen e bashkëshortit në grabitjet e bankave.
Sipas burimeve, Policia e Tiranës pritet të nisë edhe një hetim pasuror për të verifikuar burimin e të ardhurave dhe pasuritë që zotëron 50-vjeçari. (A2 Televizion)