Skandali Epstein, modelja e përdhunuar denoncon agjencinë: Më dërguan në shtëpinë e tij, kur duhej të më mbronin

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2026, 12:35 | Bota

Skandali Epstein, modelja e përdhunuar denoncon agjencinë: Më

Një grua, e cila pretendon se është përdhunuar nga Jeffrey Epstein, akuzon presidentin e agjencisë së modelimit që e përfaqësonte se e ka ekspozuar qëllimisht ndaj rrezikut, duke e dërguar në dy sete fotografike në rezidencën e financierit amerikan në Palm Beach të Floridës, i dënuar për krime seksuale.

Ngjarjet kanë ndodhur në vitin 2009, kur Epstein po vuante një dënim për vepra penale seksuale ndaj një të miture. Megjithatë, atij i ishte lejuar të largohej çdo ditë nga burgu për të punuar në shtëpinë e tij.

“Detyra e agjencisë sime ishte të më mbronte, por ata dështuan. Përkundrazi, më vunë në rrezik. Dhe për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi”, deklaroi ajo për BBC-në, përcjell A2CNN.

Roza tregon se pikërisht pas këtyre sesioneve fotografike ajo u punësua si asistente e Epstein. Edhe gra të tjera që i kanë mbijetuar abuzimeve të tij kanë rrëfyer se financieri përdorte ofertat e punës për asistente si një skemë të mirëorganizuar, për të krijuar mundësi që të vazhdonte abuzimin seksual me vajzat dhe gratë e reja.

Sipas dëshmisë së saj, Epstein e përdhunoi në mënyrë të përsëritur dhe sistematike.

Dokumentet e lidhura me çështjen Epstein, të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DOJ), zbulojnë se 10 modele të agjencisë MC2 kishin takuar ose kishin komunikuar me financierin edhe pasi ai ishte dënuar.

Dosjet tregojnë gjithashtu se në vitin 2005, Epstein i kishte dhënë agjencisë MC2 një shumë prej 1 milion dollarësh. Ky fakt bie ndesh me deklaratat e pronarëve të agjencisë, të cilët dy vjet më vonë i kishin thënë një publikimi amerikan se Epstein nuk kishte asnjë lidhje me kompaninë e tyre.

Dëshmitë e siguruara nga BBC Eye ngrenë pikëpyetje edhe mbi rolin e dy personave të tjerë të njohur në industrinë e modelimit, të cilët, sipas dokumenteve të DOJ-së, kishin marrëdhënie të afërta me Epstein. Bëhet fjalë për ish-agjentin Ramsey Elkholy dhe drejtoreshën e agjencisë, Faith Kates.

Ndërkohë, një deklaratë e Departamentit Amerikan të Drejtësisë, e bërë vitin e kaluar, sipas së cilës nuk ishin gjetur prova që do të justifikonin hetime të mëtejshme ndaj “personave të tretë të paakuzuar”, po vihet tashmë në pikëpyetje nga senatori i shtetit të Nju Jorkut, Zellnor Myrie.

Ai ka propozuar një projektligj të ri kundër trafikimit seksual, i cili synon t'u japë policisë kompetenca më të gjera për të hetuar personat që dyshohet se kanë ndihmuar Epstein-in. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos