
Mazhoranca dhe opozita në tryezën politike për reformën zgjedhore nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët as për kuotat gjinore në Parlamentin e Shqipërisë.
Të dyja palët janë dakord që minimumi 30% e listave të kandidatëve për çdo zonë zgjedhore t’i përkasin gjinisë femërore. Ku ndahen është te renditja e tyre.
OSBE/ODIHR ka rekomanduar që kuota 30% t’i referohet përbërjes së Kuvendit, jo thjeshtë listës së kandidatëve, duke evituar që gratë dhe vajzat të përfundojnë në fund të listave.
Për të adresuar këtë shqetësim, PS ka propozuar që për çdo zonë zgjedhore, jo më pak se një në çdo tri emra të njëpasnjëshëm, duhet t’i përkasë secilës gjini. Ndërsa PD propozon që ky përkufizim të jetë në fuqi vetëm për tre emrat e parë të listës, e cila më poshtë do të duhej thjeshtë të respektonte kuotën 30% në totalin e saj. Kjo do të lejonte përsëri që kandidatet femra të jenë më poshtë në lista, duke pakësuar shanset e tyre për të hyrë në Parlament.
PS dhe PD ndahen edhe te sanksionet. Ndërkohë që për socialistët mos respektimi i kuotës gjinore do të sillte refuzimin e listës shumëemërore nga KQZ, demokratët kërkojnë që kjo të jetë e vlefshme vetëm nëse nuk është respektuar kuota 30% në tërësinë e listës.
Për mospërmbushjen e përfaqësimit gjinor në një prej tre emrave të parë, opozita sugjeron ndëshkim më të butë, vetëm me gjobë. Dakordësia është gjetur te këshillat bashkiak, ku është pranuar propozimi i PS-së për kuotën 50% dhe renditjen një në dy emra për secilën gjini. (A2 Televizion)