
Greqia është gati për sezonin turistik. Muzetë u rihapën në të gjithë vendin, teksa pritet fillimi zyrtar i punës në një ndër sektorët ekonomik më të rëndësishëm, i cili mori një goditje të rëndë nga pandemia koronavirus. Kufizimet, në izolimin e vendosur që prej nëntorit, janë lehtësuar thuajse plotësisht. Në fuqi janë rregullat e mbrojtjes së shëndetit si distancimi social dhe mbajtja e maskës.
“Po hapim velat tona, me siguri. Është diçka që në e kemi dashur dhe që mund ta arrijmë.”, u shpreh ministri grek i turizmit.
Greqia ka rihapur plazhet, baret dhe restorantet javën e kaluar për të ndihmuar sektorin e turizmit në parapërgatitje për sezonin veror. Qeveria thotë se është e gatshme të përballet me çdo situatë lidhur me pandeminë dhe se nuk do të hezitojë në marrjen e vendimeve të vështira.
“Mesazhi ynë është se pandemia nuk ka mbaruar ende. Ne do të vazhdojmë këtë luftë të madhe në mënyrë që të gjejmë njëbalancë në rrugën drejt normalitetit.”
Turistët, nga disa shtete të caktuara, do të lejohen ta vizitojnë Greqinë nëse janë të vaksinuar, vërtetojnë që janë negativë ndaj Covid-19 dhe nuk do të karantinohen pas mbërritjes. Sa i përket skemës së Bashkimit Europian për “pasaportën e imunitetit”, qeveria e Athinës thotë se do të jetë gati për ta aplikuar duke nisur nga 1 qershori. (A2 Televizion)