
Konfirmimi i tre vatrave të gripit të shpendëve ditën e djeshme ka reflektuar shqetësim te qytetarët. Teksa thonë se nuk kanë shumë informacion, ata kërkojnë që të rriten masat me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit.
Vendimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të mos tregtuar shpendë të gjallë është zbatuar në tregun e Kombinatit në kryeqytet. Megjithatë qytetarët thonë se duhen shtuar kontrollet dhe të përmirësohet infrastruktura që të mos rrezikohet shëndeti i qytetarëve.
Pas njoftimit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bllokoi importimin e shpendëve shtëpiakë dhe të egër, mishin dhe nënproduktet e tyre me një pjesë të vendeve europiane dhe rajonit.
Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara, gripi i shpendëve H7N9 ka infektuar 1,668 persona prej viti 2013 prej të cilëve 616 kanë vdekur.
Epidemia e fundit nga gripi i shpendëve ndodhi në Kinë nga fundi i vitit 2016 e deri në vitin 2017. (A2 Televizion)