Krerët e 3 grupeve parlamentare të opozitës do të takojnë nesër kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, pasi kërkuan një takim urgjent me të.
Ndërkohë, ditën e nesërme, ashtu siç kishin kërkuar me një letër zyrtare, përfaqësuesit e grupeve parlamentare do të takojnë edhe kryeministrin Edi Rama.
Myslym Murrizi, Edmond Stojku dhe Nimet Musai kërkojnë të negociojnë Kodin Zgjedhor.
“Në frymën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila përcakton qartë në Nenin 81, pika 2, gërma “c” se ndryshimet në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, si opozitë parlamentare kemi propozuar dy kushte të panegociueshme, plotësimi i të cilave sjell votimin tonë në Kuvend: A) Kodi i Ri Zgjedhor duhet të jetë i ri, jo një arnim skandaloz i Kodit të vjetër Zgjedhor ku shkelen me të dyja këmbët rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ata që ikën nga Parlamenti nuk mund ta mbajnë peng as parlamentin as procesin zgjedhor në Shqipëri sipas hesapeve të tyre, qoftë edhe me bekimin e kryetarit të maxhorancës që sillet edhe si Ali edhe si Kadi sipas hesapeve të tij.
B) Shumica në Kuvendin e Shqipërisë duhet të na krijojë kushtet dhe garancitë për një dialog serioz, transparent dhe të hapur, PËR KALIMIN NGA LISTAT E MBYLLURA TEK LISTAT E HAPURA”, lexohet në letrën e opozitës parlamentare. (A2 Televizion)