Grupet parlamentare, letër Ruçit: Nuk e votojmë Reformën Zgjedhore. Duam tryezë dialogu me Ramën

Nga A2 CNN
8 Qershor 2020, 14:52 | Politikë

Grupet parlamentare të opozitës kanë kërkuar një takim urgjent me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçin pas marrëveshjes së arritur për Reformën Zgjedhore.

Sipas tyre, “kjo marrëveshje është në shkelje të legjitimitetit të Kuvendit të Shqipërisë, pasi i imponohet vendimmarrjes sovrane të këtij institucioni”.

“Në frymën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila përcakton qartë në Nenin 81, pika 2, gërma “c” se ndryshimet në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, si opozitë parlamentare kemi propozuar dy kushte të panegociueshme, plotësimi i të cilave sjell votimin tonë në Kuvend: A) Kodi i Ri Zgjedhor duhet të jetë i ri, jo një arnim skandaloz i Kodit të vjetër Zgjedhor ku shkelen me të dyja këmbët rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ata që ikën nga Parlamenti nuk mund ta mbajnë peng as parlamentin as procesin zgjedhor në Shqipëri sipas hesapeve të tyre, qoftë edhe me bekimin e kryetarit të maxhorancës që sillet edhe si Ali edhe si Kadi sipas hesapeve të tij.
B) Shumica në Kuvendin e Shqipërisë duhet të na krijojë kushtet dhe garancitë për një dialog serioz, transparent dhe të hapur, PËR KALIMIN NGA LISTAT E MBYLLURA TEK LISTAT E HAPURA”, lexohet në letrën e opozitës parlamentare.

Ata kërkojnë që brenda 48 orësh të thërritet një tryezë dialogu midis tyre dhe përfaqësuesve të mazhorancës, “ku vetëm prania e kryetarit/kryeministrit Rama do të ishte prova e seriozitetit të tryezës”.

Nëse kjo nuk ndodh, grupet parlamentare të opozitës shprehen se nuk do ta votojnë marrëveshjen për Reformën Zgjedhore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos