Arritja e marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës në Këshillin Politik për reformën zgjedhore është përshëndetur dhe nga nënkryetari i CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Johann Wadephul, i cili përmes një postimi në Twitter iu ka bërë thirrje palëve të vijojnë bashkëpunimin për këtë reformë të rëndësishme në të njëjtën frymë konsensusi.
“Dakordësia mes qeverisë dhe opozitës mbi një pjesë të rëndësishme të reformës zgjedhore duhet të inkurajojë shtyrjen përpara negociatave të vështira mbi 15 kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria para se të mund të fillojnë negociatat e anëtarësimit” shkruan Wadephul.
Megjithatë ligjvënësi gjerman nënvizon faktin se ka ende diferenca mes palëve për këtë çështje duke nënkuptuar pikën 11 të draftit për reformën zgjedhore për shitblerjen e votës.
“Ka akoma shumë diferenca mes palëve të cilat duhet të tejkalohen me qëllim garantimin e të drejtës së votës në përputhje me standardet e BE dhe OSBE. Kjo është mënyra e vetme që më në fund të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Ato janë parakusht për rrugën drejt BE. Nxis të dyja palët të vazhdojnë punën me shpirt konstruktiviteti”, thekson Wadephul. (A2 Televizion)