
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dënoi ashpër sulmin fizik të ndodhur gjatë protestës së sotme të opozitës ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Presidenti Begaj i konsideron këto akte të papranueshme dhe që bien ndesh me parimet e demokracisë dhe zhvillimin e protestave paqësore. Kreu i Shtetit inkurajon autoritetet të hetojnë këtë rast dhune dhe të zbardhin sa më shpejt dinamikat e ngjarjes. Liria e fjalës dhe tubimeve paqësore janë e drejtë kushtetuese dhe si të tilla duhet të garantohen dhe mbrohen”, tha Presidenca në një deklaratë.
Për ngjarjen reagoi edhe ambasada amerikane. “U skandalizuam nga sulmi fizik sot ndaj një anëtari të Parlamentit dhe presim që autoritetet ta hetojnë plotësisht incidentin. Askush nuk duhet sulmuar sepse ushtron lirinë e fjalës në përputhje me ligjin”, tha një zëdhënës i ambasadës për A2 CNN.
Teksa po i afrohej Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku do të zhvillohet protesta e opozitës, një person goditi me grusht Sali Berishën në fytyrë, duke e gjakosur. Menjëherë, ai u neutralizua nga truprojat e tij dhe mbështetës të tjerë, të cilët e rrahën personin duke e goditur me grushte dhe shkelma. (A2 Televizion)