Guardiola në Champions, shansi për trofeun e 32 në karrierë

Nga A2 CNN
5 Maj 2021, 13:45 | Futboll
Guardiola në Champions, shansi për trofeun e 32 në karrierë

Kanë kaluar dhjetë vjet nga një prej momenteve më të rëndësishme në karrierën e Pep Guardiola-s. Në Wembley përballë Manchester United, ai fitoi Champions-in e dytë si trajner i Barcelonës. Prej atij momenti, kaloi një tjetër sezon me katalanasit, tre me Bayern-in dhe katër te Manchester City.

Një dekadë, në të cilën nuk arriti më të shijonte një finale për trofeun më prestigjioz për klube. Prej dhjetë vjetësh, Guardiola ka dëgjuar refrenin se ishte tepër e thjeshtë të fitonte me Xavi-n, Iniesta dhe Leo Messi. Opinioni nuk ia kurseu kritikat, pavarësisht trofeve të panumërt të fituar gjatë aventurave në Spanjë, Gjermani dhe Angli.

Tani Pep ka shansin t’i mbyllë gojën kritikëve. Pas gjysmëfinales së fituar me Paris Saint Germain, trajneri tha se ky ishte “fryti i punës 5-vjeçare”. Gjatë këtyre edicioneve, Manchester City e ka mësuar në perfeksion futbollin që praktikon Guardiola. Lojë e bukur, dominim i kundërshtarëve, gjithmonë në kontroll të topit, lojtarë që ndryshojnë vazhdimisht pozicionet dhe një mentalitet fituesi. Tashmë nuk mbetet veçse që puna të finalizohet me triumfin në finalen e Stambollit. Duke llogaritur edhe fitimin e titullit në Premier League, Pep Guardiola mund të ngjitet në kuotën e 32 trofeve në karrierë. Vetëm një kupë më pak se një legjendë e trajningut si “koloneli” Lobanovski.

Teksa është një prej më fituesve në histori, tekniku spanjoll do të nisë edhe ofensivën për të arritur Sir Aleks Ferguson, fitues i 49 trofeve në karrierë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos