
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, duke deklaruar se nuk mund të ketë dialog me të dhe se protesta nuk do të ndalet.
Berisha u kërkoi mësuesve të qëndrojnë në krah të nxënësve dhe studentëve, ndërsa falënderoi qytetarët që, sipas tij, po u ofrojnë protestuesve ujë dhe ushqim. Ai i bëri gjithashtu thirrje Kryqit të Kuq Ndërkombëtar të ndërmjetësojë për krijimin e korridoreve për ndihmën ndaj të plagosurve.
“Nuk ka dialog Edi Rama me ty. Jep dorëheqjen që të bëhet zgjidhje politike. Kthim prapa kjo revoltë nuk ka”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha iu drejtua edhe komunitetit ndërkombëtar, duke kërkuar mbështetje për qytetarët shqiptarë dhe largimin e Ramës nga pushteti. Sipas tij, dorëheqja e kryeministrit është kusht për rivendosjen e stabilitetit, funksionimin e shtetit ligjor dhe vijimin e procesit të integrimit evropian.
Ai paralajmëroi se Shqipëria ndodhet në një moment kritik dhe akuzoi kryeministrin se po e çon vendin drejt një konflikti më të gjerë.
Pjesë nga deklarata e Berishës:
Unë u bëj thirrje mësuesve të Shqipërisë, të cilët sot sipas Edi Ramës nuk vlejnë as sa çizmet e policit, të qëndrojnë në anën e nxënësve të tyre.
Të qëndrojnë në anën e studentëve të tyre.
Të qëndrojnë të pamposhtur sepse nxënësit dhe studentët po rrezikojnë jetën e tyre vetëm e vetëm që të lulëzojnë, të zhvillojnë ëndrrën e tyre në këtë vend.
I bëj thirrje mbarë qytetarëve të solidarizohen.
Jam jashtëzakonisht mirënjohës dhe i prekur pozitivisht nga ato qindra e qindra familje të cilët i presin në shkallët e pallateve me ujë, me ushqim, me çfarë munden, duke treguar solidaritet ndaj të revoltuarve.
I bëj thirrje Kryqit të Kuq ndërkombëtar të ndërmjetësojë urgjentisht për krijimin e korridoreve në mënyrë ëë të ndihmohen të plagosurit dhe jo të krijohen salla makabre si ajo e Ministrisë së Arsimit ku me dhjetëra e dhjetëra protestues me ndjenja të humbura ose gjysmë të humbura ishin përplasur në dysheme.
Koha është kritike.
Kurrë ndonjëherë më shumë se sot shqiptarët nuk janë thirrur që të marrin në dorë fatin e tyre.
Fatin e familjes së tyre.
Fatin e vendit të tyre.
Ata nxënës, studentë po luftojnë si luanë sepse narkodiktatori, bastardi i xhelatëve komunistë rrëmben votat me vrasës, trafikantë dhe banditë, bllokon rotacionin.
Me propagandën që dikton, mashtron.
Edhe njëherë ky është gangsteri ndërkombëtar më i madh sot.
Ndaj dhe çlirimi prej tyre, largimi i tij i menjëhershëm.
Nuk ka dialog Edi Rama me ty, ja ta them dhe unë.
E di pse nuk ka dialog?
Sepse ti dialogun e do me ata që do vetë.
Por ata që do ti, ata janë kukullat tua.
Ata që do ti janë puthadorët e tu.
Ata janë qenie të shpifura.
Jep dorëheqjen që të bëhet zgjidhje politike.
Kthim prapa kjo revoltë nuk ka.
Etiketimet tua janë njëlloj me të babait tënd xhelat.
Edhe ai Havzi Nelën e quan terrorist, njëlloj siç ti i quan terroristë.
Dhe ti me atë mendësi xhelati u drejtohesh gjimnazistëve dhe studentëve të Tiranës dhe Shqipërisë.
Koha thërret shqiptarët dhe njëherë në orën e tyre të historisë.
Të hidhen në anën e studentëve.
I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të qëndrojë në anën e drejtë të qytetarëve shqiptarë.
Largimi i menjëhershëm i Edi Ramës nuk krijon absolutisht asnjë vakuum.
Largimi i menjëhershëm i Edi Ramës është kusht i të gjitha kushteve që të rivendoset stabiliteti në Shqipëri.
Është kushti i të gjitha kushteve që të vazhdohet me përkushtim përmbushja e kritereve dhe standardeve evropiane në procesin e integrimit.
Largimi i këtij horri ndërkombëtar nga pushteti është kushti i të gjitha kushteve që të funksionojë shteti ligjor në Shqipëri.
Që imunitetet të mos përdoren si mburojë për ata që vjedhin qindra milionë dhe për atë.
Që lumenjtë e drogës të mos vërshojnë nga Shqipëria, Amerika Latine, vendet e Lindjes nëpërmjet Shqipërisë drejt Evropës Perëndimore.
Është kushti i të gjitha kushteve që Shqipëria të mos jetë më eksportues madhor i krimit drejt vendeve fqinje, rajonit dhe më gjerë.
Ndaj dhe, edhe njëherë u bëj thirrje, i jepni duart të paktën formalisht kësaj monstre që u vetëserviret shqiptarëve si lider global në një kohë kur është gangster global.
Shqipëria është në momente kritike.
Edi Rama kërkon me çdo kusht të shkojë drejt konfliktit të gjerë.
Është një moment historik për çdo shqiptar. (A2 Televizion)