Gwyneth Paltrow rrëfehet: Pse hoqi dorë nga aktrimi dhe sulmet seksuale të Weinstein?

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2020, 10:46 | Showbiz

Gwyneth Paltrow ishte 26 vjeç dhe sapo kishte fituar Oskarin kur e kuptoi se nuk donte të vazhdonte më aktrimin. Sipas saj, shkëlqimi i aktrimit u zhduk për shkak të kritikave të medias, ndërsa ka rrëfyer edhe marrëdhënien me regjisorin Weinstein.

Në një intervistë në “Quarantined”, aktorja 45-vjeçare tha se ajo ishte 26 vjeçe, dhe sapo kishte marrë Oskarin për “Shakespeare in Love”, kur e kuptoi se ajo “nuk e donte aq shumë aktrimin".

Por, sipas saj, ky vendim nuk ka asnjë lidhje me kritikat e rënda që mori pas fitores së saj të befasishme (për aktoren më të mirë në vitin 1999) kur shumë u ankuan se ajo nuk e meritonte statujën. Gwyneth Paltrow thotë se është më shumë diçka personale:

“Ndihesha si, kush duhet të jem tani? - shpjegoi aktorja - Kush jam unë në të vërtetë, çfarë po bëj me jetën time?”.

Arsyeja pse Gwyneth Paltrow u largua nga aktrimi

Gjatë intervistës, Gwyneth Paltrow shpjegoi se, "disa nga shkëlqimet e aktrimit janë zhdukur" për shkak të "kontrollit intensiv të medias" në të cilin ajo u gjend e fundosur.

"Unë isha një vajzë e vogël dhe fundi i çdo marrëdhënieje time përfundonte në faqet e para të gazetave, ku kritikohesha për gjithçka thoja dhe vishja", shpjegoi Paltrow.

“Është një punë kaq kalimtare, je gjithmonë kudo. Është e vështirë të ngulësh rrënjë. Unë jam një person që e dua shumë shtëpinë dhe familjen, më pëlqen të jem me miqtë e mi të vjetër, të gatuaj dhe të përqafoj fëmijët e mi. Nuk dua të jem vetëm në një dhomë hoteli në Budapest për gjashtë javë. Nuk është kjo çfarë dua”.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Gwyneth Paltrow tregoi gjithashtu ndikimin negativ që Harvey Weinstein kishte mbi të, një viktimë e ngacmimeve të tij seksuale.

Weinstein ishte shefi i saj për disa vjet si president i Miramax, edhe kur Gwyneth fitoi Oskarin për aktoren më të mirë në 1999 për “Shakespeare in Love”. Të dy kishin punuar më parë së bashku për filmin e parë të suksesshëm të Paltrow, Emma.

"Nëse i bashkoni të gjitha këto gjëra dhe faktin që unë isha një vajzë naive në atë kohë, është e qartë pse fillova të mendoj: Nuk e di nëse kjo është gjë që unë dua të bëj në të vërtetë". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos