Hajdari-Ramës: Endesh nëpër Europë për të treguar që je lideri suprem. Reagon Kryeministri

Nga A2 CNN
30 Janar 2020, 13:06 | Politikë
Hajdari-Ramës: Endesh nëpër Europë për të treguar

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari, me tone të larta, reagoi pas fjalës së kryeministrit Rama për ndërtimet në vend.

Hajdari iu drejtua Rama me disa pyetje. “Kryeministri foli këtu sikur nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri, sikur nuk ka qenë asnjëherë kryetar bashkie për 11 vite në Tiranë. Foli sikur ka ardhur nga një planet tjetër dhe nuk e di se çfarë bëhet këtu me ndërtimet pa leje.

Kryeministri akuzon për mungesën e cilësisë së ndërtimit, për mungesën e vizionit, por kush e ka fajin që betonizoi Tiranën? Kush e betonizoi Durrësin? Kush e mbështeti Vangjush Dakon? Kush e ka fajin për gënjeshtrat që thotë sot Kryeministri? Sot në Tiranë nuk ka parqe, nuk ka lodra për fëmijët. Tirana është kthyer në gropa masive për të ndërtuar pallate pa fund nga një grup njerëzish. Për ata nuk flet pasi i ka në xhep, me ata komunikon gjatë gjithë ditës, me ata ndan pazaret, por merret me qytetarët e thjeshtë që po ndërtojnë katër kate pa leje. Ky është skandal”.

Hajdari tha më tej se Rama organizon vizita me liderët në Europë vetëm për të treguar se është lideri suprem i Shqipërisë. “Ke gati një vit të tërë që endesh nëpër rrugët e Europës dhe merresh me superegoizmin tënd dhe vetëm do të përmbushësh egon tënde personale. Takon Merkel e zyrtarë të tjerë dhe këtë e bën vetëm për të dalë në foto, të tregosh që ti je lideri suprem i këtij vendi”.

Kryeministri Rama reagoi duke bërë një krahasim të Lulzim Bashës dhe Rudina Hajdarit. “Kemi këtu opozitën që vendosi të mos shkojë pas atyre që dolën nga Parlamenti. Por në fjalimin tuaj dhe në fjalimet tuaja zonja Hajdari, ju jeni si dy pika uji, njësoj si ata që nuk janë më këtu. Nëse ka një ndryshim mes jush dhe le të themi kryetarit të ish-partisë tuaj është se, ai gënjen me dashje, ndërsa ju gënjeni pa dashje. Ai bën sikur nuk kupton, ndërsa ju nuk kuptoni. Fjalimet tuaja janë si ndërtime pa leje. Ju kaloni nga betonizimi, te krevatet në spital. Fjalimet tuaja mbarojnë me shprehjen, “ a do të bëjmë ndonjë gjë?” Por çfarë do të bëni ju dhe kush do ta bëjë me ju këtë gjë. E vetmja gjë që mund të bëni ju është të sistemoni rrugët e mendimit dhe të formulimit të fjalive dhe fjalëve.

Unë thash që kam qenë kryetar bashkie dhe ngrita problemin e sistemit. Nuk e mora fjalën të bëj polemik me ju. Unë thash ju jeni opozita dhe nuk ju zgjedhim dot. Kaq keni dhe kaq bëni. Edhe të mos flasim fare, siç më sugjeruan shumica, nuk shkon”, tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos