
Një numër i madh njerëzish u grumbulluan jashtë burgut të Rajaeishahr në qytetin Karaj të Iranit, pas raportimeve për ekzekutimin e mundshëm të dy të rinjve të dënuar me vdekje për pjesëmarrje në protestat kundër qeverisë në vend.
Në një video të postuar në internet, dëgjohen protestuesit teksa thërrasin se për "çdo protestues që vritet, mijëra të tjerë do ta zëvendësojnë", si dhe "atdheu ynë nuk do të shpëtohet, nëse mullahët nuk vdesin".
Në video gjithashtu dëgjohen dhe të shtëna me armë zjarri nga policia.
Ndërkohë, tre persona të tjerë janë dënuar me vdekje për vrasjen e pjesëtarëve të forcave të sigurisë në Isfahan, gjatë protestave.
Tre personat u shpallën fajtorë për "sulm të armatosur terrorist" dhe se kishin qëlluar dhe vrarë tre anëtarë të forcave të sigurisë. Ata u dënuan me vdekje për minim të sigurisë së vendit duke udhëhequr një grup kriminal.
Republika Islamike ka qenë skena e protestave që kur Mahsa Amini, një kurde iraniane vdiq më 16 shtator pas dhunës së ushtruar nga policia e moralit sepse nuk kishte vendosur si duhej velin që i duhej t’i mbulonte fytyrën. (A2 Televizion)