Hakmarrja për bandën e Lushnjës, Laert Haxhiu e Orges Bilbili, dy "beteja" paralele me drejtësinë

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2020, 18:51 | Kronikë
Hakmarrja për bandën e Lushnjës, Laert Haxhiu e Orges Bilbili, dy

Përballja me Gjykatën e Posaçme nuk do të jetë e vetmja betejë me drejtësinë për Laert Haxhiun e Orges Bilbilin, dy nga të akuzuarit si autorë të “masakrës së Lushnjës”.

Teksa janë dërguar si të pandehur në Gjykatën e Posaçme për ngjarjen e 11 tetorit 2016 në Lushnjë, ku në përpjekje për të eliminuar nipin e Aldo Bares, u vranë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku, por s’u lëndua “shënjestra”, një dosje me emrat e tyre është depozituar edhe në Gjykatën e Lartë.

Kjo gjykatë ka regjistruar kundërshtimin e bërë nga Prokuroria e Apelit Vlorë ndaj vendimit të pafajësisë së Laert Haxhiut e Orges Bilbilit për vrasjen e Gerti Lalës, në korrik 2010 në Lushnjë. Lala njihej me nofkën “Iriqi” dhe dyshohej të ishte ish-anëtar i Bandës së Lushnjës.

Haxhiu e Bilbili u arrestuan si autorë të dyshuar të ngjarjes, por u shpallën të pafajshëm në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të Apelit të Vlorës. Rigjykimi i dosjes në Apel nuk ndryshoi pafajësinë e tyre.

Por, Prokuroria e Apelit nuk ka hequr dorë nga dyshimet e saj duke iu ridrejtuar Gjykatës së Lartë, ku dosja ka si relator gjyqtarin Ilir Panda. Të dy ngjarjet për të cilat dyshohen Haxhiu e Bilbili kanë si motiv hakmarrjen, referuar një historiku konfliktesh mes familjes së ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare, dhe familjes Haxhiu në këtë qytet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos