Hakmarrje palestineze ndaj Izraelit, 7 të plagosur në një sulm me makinë dhe thikë në Tel Aviv

Nga A2 CNN
4 Korrik 2023, 14:34 | Bota

Ditën kur Izraeli njoftoi se operacioni i tyre ushtarak më i madh në 20 vitet e fundit në Bregun Perëndimor po përfundon, hakmarrja palestineze për 10 viktimat dhe 100 të plagosurit në Jenin është shërbyer e ftohtë në Tel Aviv.

Siç raportohet nga mediat, një sulm mbi civilët është regjistruar në kryeqytet.

Ka qenë një shtetas palestines, tashmë i shpallur i vdekur, ai që ka futur makinën e tij në mes të turmës me njerëz në Tel Aviv, duke plagosur shtatë vetë, pasi më parë kishte nisur një sulm me thikë.

Sipas autoriteteve, tre të plagosurit ndodhen në spital në gjendje të rëndë, ndërsa shoferi 23-vjeçar u “neutralizua” në vendngjarje nga një civil që nxitoi për të ndihmuar.

Shërbimet e urgjencës izraelite thanë se të plagosurit, ku përfshihet edhe një grua 46-vjeçare me lëndime të rënda, si dhe të tjerë që agresori ka goditur me thikë, janë dërguar në spitalet aty pranë.

Një zëdhënës i Policisë së Izraelit e përshkroi incidentin si sulm terrorist.

Ndërkohë, në krahun tjetër një zëdhënës i Hamasit e cilësoi sulmin një aksion heroik në Tel Aviv.

Është përgjigja e parë ndaj krimeve të Izraelit kundër popullit tonë në kampin e refugjatëve Jenin. Siç e ka thënë tashmë rezistenca palestineze, Izraeli do të paguajë çmimin për krimet e tij”, thuhet në një deklaratë të Hamasit.

Në të njëjtën kohë, një zyrtar i lartë i Xhihadit Islamik vlerësoi gjithashtu sulmin si "një përgjigje fillestare dhe e natyrshme e rezistencës ndaj asaj që po ndodh në Jenin" , megjithëse ai shmangu marrjen e përgjegjësisë. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/07/04/palestinezet-e-quajne-krim-lufte-izraeli-njofton-se-operacioni-ushtarak-ne-jenin-po-perfundon/

A2 CNN Livestream

Latest Videos