Palestinezët e quajnë “krim lufte”, Izraeli njofton se operacioni ushtarak në Jenin po përfundon

Nga A2 CNN
4 Korrik 2023, 13:01 | Bota
Palestinezët e quajnë “krim lufte”, Izraeli njofton se

Operacionit më të madh ushtarak të Izraelit në 20 vitet e fundit në Bregun Perëndimor të pushtuar po i vjen fundi. Kështu njoftojnë autoritetet e shtetit hebre, duke saktësuar se qëllimet kryesore të aksionit të ndërmarrë në kampin e refugjatëve Jenin, janë thuajse përmbushur. Mijëra palestinezë janë larguar ose evakuuar nga aty, pasi operacioni izraelit u krye mes një dhunë të madhe me të shtëna me armë zjarri dhe dronë. Zyrtarët në Palestinë e konsiderojnë atë që ndodhi një krim lufte dhe njoftuan se 10 persona janë vrarë dhe mbi 100 të tjerë mbetën të plagosur në kampin Jenin.

“Forcat izraelite rrethuan kampin dhe e sulmuan atë me një bulldozer, siç mund ta shihni, duke i ndryshuar pamjen kampit. Kjo nuk do të na frikësojë ne. Rruga do të rindërtohet edhe më mirë, kështu që ata na bënë një nder”, Ahmed Jarar, banor në kampin e refugjatëve Jenin.

“Erdha mbrëmë për të marrë motrën, por ngecëm. Automjetet dhe buldozerët e ushtrisë hynë në zonë. Ky është një armik kriminel”, u shpreh Jamal Hamdan, banor në kampin e refugjatëve Jenin.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan arrestimin e 120 të dyshuarve dhe se janë në kërkim të 10 personave të tjerë. Gjithashtu, bën me dije se kanë zbuluar një gropë që përdorej për të fshehur eksplozivë brenda kampit dhe se ka shkatërruar dy dhoma operacionale, të cilat përdoreshin nga organizatat terroriste. Pavarësisht arsyetimit të Izraelit se kampi përdorej nga palestinezët për të krijuar pajisje shpërthyese dhe organizuar sulme, dhuna e përdorur ka shkaktuar shqetësim në Shtetet e Bashkuara dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara lidhur me kushtet humanitare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos