"Vetëm të pres veshin", Hamilton del kundër FIA-s… për vëthët

Nga A2 CNN
11 Prill 2022, 12:16 | Sporte të tjera

Lewis Hamilton ka dalë kundër rregullores së Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) dhe është shprehur qartë se nuk do ta respektojë atë për asnjë moment.

Nuk bëhet fjalë për rregullat në pistë, por për rregullin që nuk lejon pilotët që të përdorin bizhuteri gjatë garave të Formula 1.

Drejtori i ri i garave në FIA, Niels Wittich, i ka dërguar një letër të gjithë pilotëve, duke u kujtuar se “përdorimi i bizhuterive në formën e “piercing”, unazave apo varëseve në qafë, është i ndaluar gjatë garës”.

Sipas “Marca”, mbledhja tradicionale e pilotëve të premten ka zgjatur shumë dhe kjo zgjatje erdhi për shkak të diskutimit mbi bizhuteritë. Disa pilotë, me Hamilton në krye, nuk janë aspak dakord me këtë rregull. Duke parë kundërshtitë e mëdha, Wittich i ka lënë kohë pilotëve dy gara për ta zgjidhur këtë çështje.

“Nuk kam ndërmend t’i heq. Ka gjëra që janë personale. Plus që kam gjëra që nuk i heq dot, edhe po të dua. Këto që kam në veshin e djathtë janë të “salduara”. Vetëm të pres veshin”, tha piloti britanik për Reuters, pas garës në Australi.

Kështu, duket se Hamilton do të paguajë gjobën prej 10 000 eurosh për garë dhe do të garojë me bizhuteritë e tij të dashura në Botërorin e F1. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos