Haradinaj: Qeveria Kurti do të jetë zhgënjim, nuk bëhemi pjesë e saj

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2019, 16:53 | Kosova
Haradinaj: Qeveria Kurti do të jetë zhgënjim, nuk bëhemi

Ramush Haradinaj dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të jenë pjesë e ndonjë koalicioni qeverisës. Kryeministri në detyrë shtoi gjithashtu se nuk beson te aftësitë menaxheriale të Albin Kurtit, kreut të Vetëvendosjes që pritet ta pasojë në postin e Kryeministrit.

“Ne jemi opozitë, ata i kanë fituar zgjedhjet dhe duhet të formojnë institucionet. Jemi opozitë, nuk e shohim vetën pjesë e Qeverisë Kurti”, tha Haradinaj. “Çdo herë kam thënë që kam dyshim në aftësitë e tij dhe mendoj që do të jetë një zhgënjim kjo qeveri. Nuk e kam thënë për arsye të caktuara personale, por e kam thënë në bazë të vlerësimit të punës. Duke e njohur edhe të rrethanat e Kurtit dhe koalicionit, nuk mendoj që do të jetë një qeveri që do t’i përmbushë pritjet e qytetarëve, për fat të keq do të jetë zhgënjim”, tha ai.

Për Haradinajn, gjendja që tani nuk është e mirë, për shkak të vonesave për zyrtarizmin e kabinetit të ri për shkak të mosmarrëveshjeve mes Vetëvendosjes dhe Lëvizjes Demokratike të Kosovës për ndarjen e posteve. “Kur kam krijuar Qeverinë më është dashur të negocioj edhe me Listën Serbe, tani edhe Albini e ka marrë vesh që duhet”, tha Haradinaj.

“Ne nuk refuzojmë diskutime për interes të vendit, për tema nacionale, por nuk kemi ndonjë rol për të ndihmuar në krijimin e institucioneve, përgjegjësia bie mbi fituesit. Nëse fituesit dalin në konferencë për shtyp dhe thonë ne nuk mund ta bëjmë, atëherë ne duhet të interesohemi çfarë të bëjmë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos