
Prokurori i përgjithshëm, Olsian Çela, tha se harta e re gjyqësore është mjaft e nevojshme, kjo për arsye se mund të amortizojë vakancat në radhët e gjyqtarëve, ndërsa u shpreh se edhe shkolla e magjistraturës ka nevojë për riformulim të vitit të tretë.
“Ajo çka përbën thelbin e propozimeve përqaset me atë se çfarë ka qenë ideja jonë, për mënyrën se si duhet të konfigurohet kjo hartë e re gjyqësore. Ajo i përgjigjet nevojave që ka sot sistemi. Mendojmë se në një plan afatmesëm do të arrijë të amortizojë vakancat e shumta që janë krijuar në sistem. Të mos harrojmë që masat do të vazhdojnë të shtohet dhe masat që ne duhet të marrim, duhet të jenë drastike. Kjo masë nuk mund të jetë e vetme. Kjo do të krijojë lehtësi për mënyrën sesi do të funksionojnë si prokuroritë ashtu edhe gjykatat.
Sa i përket funksionimit të Shkollës së Magjistraturës, unë vlerësoj se është e domosdoshme që viti i tretë të kthehet në një vit të stazhit profesional në modelin e dikurshëm. Kjo do të lehtësojë në një afat më optimal barrën e rëndë që janë duke përballuar i gjithë sistemi i drejtësisë”, u shpreh Çela. (A2 Televizion)