
Fatmir Xhafaj, deputet i Partisë Socialiste, komentoi në “Intervistë” me Merita Haklajn hartën e re gjyqësore të mbështetur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), por për të cilën po heziton Ministria e Drejtësisë.
“Jemi mjeshtra për të krijuar konfuzion në këtë vend. Nëse kemi një aftësi, është ajo për të krijuar konfliktualitet dhe konfuzion. Ne e kemi parashikuar që në projekt këtë gjë, që kur u hartua reforma parashikuam për uljen e numrit të gjykatave të Apelit dhe të gjykatave të Shkallës së Parë. Nuk është se problemi lindi sot. Këta që flasin sot janë përgjegjësit që duhet ta trajtonin këtë problem prej dy vitesh të paktën. Në rrethe të caktuara, për shkak të largësisë, është parashikuar që të ketë degë të gjykatave. Edhe gjyqe mund të zhvillohen atje. Pra, qytetarit nuk i zvogëlohet aksesi te drejtësia”, shpjegoi Xhafaj.
Sipas tij, “harta gjyqësore, përveçse është ekonomi, është edhe cilësi gjykimi”.
“Sepse ka më shumë gjyqtarë, ka më shumë mundësi të formohen më shpejt trupa treshe gjykimi, por edhe nga pikëpamja e unifikimit të praktikës”, nënvizon Xhafaj.
Në lidhje me propozimin për vetëm një Gjykatë Apeli, me seli në Tiranë, Xhafaj tha: “Sot kemi 6 gjykata Apeli, mund të gjejmë një të mesme dhe ta bëjmë me 3. Aktualisht, versioni është që të jetë vetëm Tirana. Por, mund të ketë version tjetër që të jetë Shkodra për veriun dhe Vlora për jugun. Edhe kjo bën sens”. (A2 Televizion)