Reforma në drejtësi, Xhafaj kritik me Kuvendin dhe misionet ndërkombëtare

Nga A2 CNN
22 Tetor 2021, 21:13 | Politikë
Reforma në drejtësi, Xhafaj kritik me Kuvendin dhe misionet

Rolin kryesor për funksionimin normal të reformës në drejtësi e ka Kuvendi, por pavarësisht përpjekjeve, nuk e ka luajtur siç duhet këtë rol. Këtë bindje shprehu në intervistën me Merita Haklajn në A2 CNN, ish-ministri i Drejtësisë dhe deputeti aktual socialist Fatmir Xhafaj.

“Kemi arritur në fazën e ngritjes së institucioneve dhe funksionimin normal të tyre dhe kërkon një analizë për të kuptuar çfarë ka ndodhur dhe risitë e këtij procesi, dhe çfarë masash konkrete duhen marrë për të vazhduar. Ka disa aktorë që janë të përfshirë, por rolin kryesor e ka Kuvendi, se është pushteti që ka mundësinë e ndikimit më të vogël, ose më saktë që e riskon më pak kontrollin mbi organet e drejtësisë. E dyta se reforma zhvillohet në Kuvend dhe ka privilegjin e ndryshimeve kushtetuese e ligjore, dhe nga ana tjetër organet e reja informojnë para Kuvendit. Këto e bëjnë Kuvendin aktorin kryesor të zbatimit të reformës në drejtësi dhe megjithë përpjekjet që janë bërë, Kuvendi nuk e ka luajtur këtë rol siç duhet në këto vite”.

Dhe mosfunksionimin si duhet të Kuvendit Xhafaj e shikon te dështimi i ngritjes së komisionit të monitorimit dhe qasja ndaj institucioneve të reja të drejtësisë.

“Në ligj ne kishim paraparë ngritjen e një komisioni monitorimi e koordinimi që dështoi dhe nuk la gjurmë, për shkak se kuvendi nuk i dha peshën që meritonte. Ajo strukturë do të luante një rol nxitës dhe aktiv për ta çuar përpara procesin. Së dyti Kuvendi duhet të ndryshojë qasjen e tij me institucionet e reja. Kuvendi funksionon me rregulloren e vjetër me institucionet e reja. Parlamenti sot ka pjesën e monitorimit dhe koordinimit të këtij procesi, do të duhet të reflektonte dhe të ndryshonte”.

Kritika ka edhe për misionet ndërkombëtare që asistojnë drejtësinë shqiptare, pasi sipas tij mund të kishin kontribuar shumë më mirë.

“Janë të rëndësishme edhe progres-raportet edhe deklaratat e instrumenatve të ndryshëm të BE, por më i rëndësishëm se kjo janë misionet që asistojnë drejtësinë shqiptare që mund të kishin kontribuar shumë më mirë. Euralius do të duhej ta kishte luajtur shumë më mirë këtë rol. Ajo që duhet bërë më mirë është monitorimi dhe koordinimi në parlament”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos