Hebrenjtë në fokus, Shqipëria organizon forumin kundër antisemitizmit

Nga A2 CNN
28 Tetor 2020, 20:31 | Aktualitet
Hebrenjtë në fokus, Shqipëria organizon forumin kundër

Roli historik i shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve, veçanërisht në Luftën e Dytë Botërore dhe nevoja për të luftuar antisemitizmit në ditët e sotme ishin çështjet që u diskutuan në Forumin Ballkanit, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë. 

Në forumin ballkanik kundër antisemitizmit u theksua kontributi i shqiptarëve për mbrojtjen e hebrenjve jo vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe shekuj më parë, sa herë që ata janë persekutuar.

Kryeministri Rama përmendi një rast ekstrem sakrifice.

“Do të doja të sillja episodin e dy vëllezërve të cilët strehuan një familje të madhe hebreje dhe u dorëzuan te nazistët dhe përfunduan në kampet e përqendrimit në Gjermani duke dhënë identitet të rremë, duke pretenduar se ishin ata hebrejtë që nazistët po kërkonin”, tha Rama.

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, pasi falënderoi Shqipërinë për mbështetjen ndaj hebrenjve, tha se antisemitizmi është kërcënues edhe në ditët e sotme.

“Kemi parë një përhapje në fakt të antisemitizmit dhe kjo është shqetësuese. Dhe në vendet me shumicë myslimane duhet të flasim në emër të tolerancës”, tha Pompeo në mesazhin e tij.

Të tjerë pjesëmarrës në këtë forum, si presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, kryeparlamentari Gramoz Ruçi, përfaqësues të Izraelit, OKB-së dhe vendeve të Ballkanit, evidentuan rolin historik të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve, ndërsa theksuan nevojën për luftën kundër antisemitizmit që shfaqet së fundmi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos