
Në emisionin A2 Business mbrëmjen e së premtes, u diskutua në lidhje me problematikën gjithnjë e më të dukshme të kohëve të fundit mes arsimit dhe tregut të punës.
I ftuar në A2 CNN, eksperti i ekonomisë, Adrian Civici u shpreh se vitet e fundit kompanitë po kërkojnë më shumë njerëz kompetentë për detyrat që mund të bëjnë sesa pyeten për diplomën që kanë.
Civici përsëriti thirrjen që arsimi të bazohet dhe të ndjekë tendencat e tregut të punës.
“Mendoj se hendeku mes arsimit dhe tregut të punës ndodh për shkaqe të problemeve nga të dyja anët. Duke iu referuar faktit që një pjesë e madhe e të rinjve shqiptarë kanë tendencë për t’u larguar ose bizneset kërkojnë profesionistë por nuk gjejnë, unë mendoj se ka të bëjë dhe me strukturën e ekonomisë, të punësimit me produktivitet të ulët, gjë që ofron dhe paga të ulëta. Një pjesë e madhe janë të punësuar në bujqësi, pastaj në fason dhe call center dhe një pjesë tjetër në ato vende pune që kërkojnë një lloj arsimi. Kemi një mospërputhje të madhe. Arsimi profesional dhe ai universitar duhet të ndjekë tendencën e tregut të punës. Në intervistat që bëhen tani për punë kërkohen më shumë kompetencat për punë dhe jo më diplomat”, tha Civici. (A2 Televizion)