
“Ai njihet për natyrën e tërhequr në përgjithësi.” Kjo ishte përgjigja e deputetes Flutura Açka kur u pyet në “Intervistë” me Merita Haklajn për mos reagimin e deritanishëm të ish-kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për çështjen McGonigal.
Megjithatë, sipas saj edhe pse janë çështje të ndara, përpos kryeministrit Edi Rama, edhe ish-kryedemokrati duhet të dalë dhe të bëjë një sqarim për çështjen e “rublave ruse” me të cilën lakohet emri i tij.
Ndërsa, duke u ndaluar tek situata aktuale në Partinë Demokratike, zonja Açka e pranoi se ajo që ajo e cilësoi si agoni të zgjatur, po e çon partinë më të madhe opozitare në vend në zgjedhje të përçare.
Sipas saj, kreu aktual Sali Berisha e ka “levën e Arkimedit” në dorë për t’i bashkuar demokratët, por shtoi ajo, “siç duket ai ka zgjedhur rrugë tjetër.”
“Por duket se po zgjat shumë agonia dhe kjo agoni e zgjatur po na çon në zgjedhje të përçare dhe zoti Berisha ka shumë dorë në të. E ka levën e Arkimedit për ta sistemuar këtë botë tonën të opozitës. Sot duhej të ishim më bashkë se kurrë.”
Flutura Açka thotë se PD mund të shkojë drejt rrugës së bashkimit, por disa njerëz sipas saj duhet të bëjnë disa hapa pas.
“Disa njerëz duhet të tërhiqen. Foltorja nuk mund të quhet PD. Si mund t’i thuash vetes unë jam kryetar i partisë demokratike kur 30% të partisë e ke jashtë strukturave.” (A2 Televizion)