
Me vetëm dy pikë larg Tiranës kryesuese, lufta e Partizanit për titullin kampion vazhdon. “Demat” po përgatiten intensivisht për derbin e 17 majit, që mund të vendosë shumë për fatin e sezonit. Të kuqtë kanë preferuar heshtjen për shtyp dhe fjala e tyre të dëgjohet vetëm në fushë.
Titulli në Superligë mbetet një luftë e dy skuadrave të kryeqytetit. Partizani me sytë nga derbi luan vetëm për të fituar, pasi një sukses i mundshëm i rikthen në vendin e parë të kampionatit.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Giovani Colella zhvilloi seancën e radhës stërvitore në kompleksin e kuq, ku grupi u pa i plotë dhe në gjendje të mirë fizike. Pas tri fitoreve radhazi, Partizani nuk do të ndalet e aq më teper në një derbi ku motivimi është maksimal.
Klubi ka zgjedhur që të mbyllë dyert për shtypin dhe deri në përfundim të sezonit, të flasë vetëm në fushën e blertë. Kjo për ta përqendruar të gjithë vëmendjen në 4 ndeshjet e mbetura e aq më tepër në derbi, që për “Demat” mund të jetë ndeshja e sezonit.
Tirana-Partizani do të luhet në datën 17 maj, në orën 18:30. (A2 Televizion)