
Gazetari Armand Bajrami ka folur në Absolut 4 për rihapjen e hetimeve për dy nga viktimat e 21 janarit, Aleks Nikën dhe Hekuran Dedën.
Bajrami thekson se për rinisjen e hetimeve për Prokurorinë e Tiranës, primare ka qenë kërkesa e bërë nga policia e kryeqytetit, me 20 janar të këtij viti, ndërsa thekson se Gjykata e Strasburgut ka nisur të shqyrtojë çështjen e Aleks Nikës dhe vetëm pak ditë më parë i kërkoi llogari shtetit shqiptar se në çfarë faze ndodhet rihetimi dhe çfarë veprimesh janë kryer.
“Primare për Prokurorinë e Tiranës ka qenë kërkesa e bërë nga policia e kryeqytetit, me 20 janar të këtij viti. Është parë e udhës rihapja e këtij hetimi për dy nga viktimat, Aleks Nika, ngjarje që ka mbetur pa autor dhe pa të dyshuar, ndërkohë që po ashtu pa autor është dhe vrasja e Hekuran Dedës. Për Hekuran Dedën, ndonëse janë dyshuar fillimisht Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ka qenë barrë e tyre në procesin e parë, nga Gjykata e Apelit u vlerësua se nuk kishin gisht në vrasjen e tij.
Tashmë me këtë veprim të prokurorisë së kryeqytetit do bëhet riekspertimi i predhës së Aleks Nikës, e cila është shumë e dëmtuar dhe në hetimin e parë është dalë në konkluzon se predha është e dëmtuar në atë masë se është e pamundur identifikimi i armës nga e cila është shkrehur. Sugjerimi i dhënë nga policisë, ishte dhe shikimi i mundësisë nëse ka aktualisht laboratorë të specializuar për të bërë të mundur identifikimin e armës nga e cila është nxjerrë predha që vrau Aleks Nikën.
Pamjet filmike janë të kufizuara për ngjarjen, janë të mangëta. Bëhet fjalë vetëm për pamje filmike të televizioneve që kanë raportuar ngjarjen apo pamjet e instuticioneve pranë vendit të ngjarjeve. Por prokuroria nuk ka pamjet e kamerave të kryeministrisë sepse serveri rezultoi i fshirë.
Vetëm pak ditë më parë Gjykata e Strasburgut ka nisur të shqyrtojë çështjen e Aleks Nikës kundër Shqipërisë. Iu drejtuan Strasburgut kur ngjarja mbeti pa një autor konkret ose të dyshuar, ku pretenduan efektivitet të ulët të hetimit nga ana e prokurorisë. Vetëm pak ditë më parë, gjykata e Strasburgurt i kërkoi llogari shtetit shqiptar se në çfarë faze ndodhet rihetimi dhe çfarë veprimesh janë kryer.”, u shpreh Bajrami. (A2 Televizion)