Hetimet për vrasjen e Jurgen Kurtit, familjarët e Agim Arapajt mohojnë përfshirjen

Nga A2 CNN
19 Mars 2019, 16:49 | Kronikë
Hetimet për vrasjen e Jurgen Kurtit, familjarët e Agim Arapajt

Hetuesit janë rikthyer paraditen e të martës në vendin ku një natë më parë u ekzekutua në mënyrë mafioze Jurgen Kurti. Sipas tyre, autorët kanë pasur dijeni për lëvizjet e 26-vjeçarit dhe dyshohet se e ndiqnin prej kohësh.

Sapo i riu parkoi makinën dhe iu drejtua shkallëve të pallatit, ku jetonte mbi të u lëshua breshëri automatiku. Mbi 13 gëzhoja u sekuestruan në vendngjarje, ndërsa puna e hetuesve u vështirësua mjaft pasi zona ku u qëllua për vdekje Jurgen Kurti nuk mbulohet nga kamerat e sigurisë.

Deri më tani Policia ka shoqëruar disa persona familjare të Kurtit, të cilët kanë thënë se “Jurgi”, siç e njihnin miqtë nuk ka pasur konflikte me persona të tjerë. Në polici u shoqëruan edhe familjarë të Agim Arapajt, i cili mbeti i vrarë si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2017 në Durrës, ku i përfshirë ishte dhe 26-vjeçari. Edhe ata kanë mohuar lidhjen me vrasjen ndonëse në atë kohë deklaronin se do merrnin hak për vrasjen e të afërmit të tyre.

Në vitin 2016, Jurgen Kurti u arrestua edhe për vrasjen e babait të tij Artur Kurti, por që më pas u la i lirë nga Gjykata, pasi vrasjen për vetëmbrojtje e mori përsipër daja i tij Leonard Ristani. Një vit më pas në Durrës mbeti i vrarë Agim Arapaj. Ai akuzonte Kurtin për mospagesën e qirasë për një ambient privat. Debati përfundoi me ushtrim dhune ndaj Arapajt, i cili humbi jetën në spital. Edhe për këtë ngjarje, 26-vjeçari u lirua pasi krimi u mor përsipër nga vjehrri i tij. Jurgen Kurti kishte në pronësi dhe një biznes të ekskluzivitetit të një marke shampanje, e cila shpërndahej në lokalet e natës në Tiranë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos