Hetimi për dhunën në Kuvend, Bislimi pyetet si i dyshuar, Murati si i dëmtuar, Lushtaku nuk shkoi

Nga A2 CNN
14 Korrik 2023, 15:15 | Kosova
Hetimi për dhunën në Kuvend, Bislimi pyetet si i dyshuar, Murati

Pa u përmbyllur mirë episodet e dhunës dha pa u tharë uji i lëshuar në kuvendin e Kosovës, autoritetet kanë nisur hetimet. Me anë të një njoftimi zyrtar, Prokuroria Themelore e Prishtinës bën me dije se po shqyrton veprën penale të “Sulmit” lidhur me incidentet që ndodhën në sallën e parlamentit.

Është autorizuar dhe policia e Kosovës për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në përleshjen masive mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës me ata të mazhorancës, si dhe të sulmit ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Kosova Press raporton se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Financave, Hekuran Murati u intervistuan për të dhënë versionin e tyre për atë që ndodhi gjatë të enjtes. Ftesës së Prokurorisë për të dëshmuar nuk i është përgjigjur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

Klan Kosova, duke cituar disa burime pranë Prokurorisë, raporton se Bislimi është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa Murati si i dëmtuar. Gjithashtu thekson se ftesa për marrje në pyetje, përveç Lushtakut, i është dërguar edhe deputetit Bekim Haxhiu, të dy në cilësinë e të dyshuarve. Por asnjëri prej tyre nuk është paraqitur në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Sherri masiv në sallën e parlamentit nisi kur në foltore po qëndronte kryeministri Albin Kurti. Fillimisht zëvendëskryeministri Bislimi hoqi një imazh tallës për shefin e qeverisë të ngjitur pranë pankartës me mbishkrimin në serbisht “Zdravo”, që nxiti reagimin e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku.

Ky i fundit lëshoi ujë në drejtim të Kurtit, por edhe Bislimit. Zëvendëskryeministri reagoi duke lëshuar një shishe në drejtim të tij, duke bërë që të shpërthente një valë dhune ku u përfshinë deputetë të shumtë. Në pamje shihet teksa goditen me grushte Bislimi dhe ministri i financave Hekuran Murati, por edhe ligjvënës të opozitës.

Seanca u ndërpre, për të rifilluar sërish, por edhe në këtë rast u regjistruan episode dhunë me përplasje fizike mes deputetëve të shumicës dhe atyre të PDK-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos