Hetimi për inceneratorin, shpallen në kërkim ndërkombëtar Klodian Zoto e Stela Gugallja

Nga A2 CNN
26 Janar 2022, 14:52 | Kronikë
Hetimi për inceneratorin, shpallen në kërkim

Më shumë se një muaj pasi Gjykata e Posaçme urdhëroi arrestimin e tyre për llogari të hetimit që çoi në pranga edhe ish-ministrin Lefter Koka, shpallen në kërkim ndërkombëtar biznesmenët Klodian Zoto e Stela Gugallja.

Ata akuzohen për “korrupsion” dhe “pastrim parash”, si administratorë të shoqërisë që mori koncensionin e inceneratorit të Elbasanit, si edhe shoqërisë që zbatoi projektin. Pas caktimit të masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj tyre, policia ushtroi kontrolle në gjithë vendin, por nuk mundi t’i arrestojë. Pasi u njoftua për këtë fakt, SPAK bëri shpalljen e tyre në kërkim ndërkombëtar, shkresë që i është përcjellë zyrës së INTERPOL.

Aktualisht, për hetimin e nisur për abuzimet ligjore gjatë kontratës koncesionare të inceneratorit të Elbasanit qëndron në qeli vetëm ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka. I arrestuar prej më shumë se një muaji, Koka ndodhet aktualisht në spitalin e burgjeve, pasi ka shfaqur probleme shëndetësore. Lefter Koka u arrestua më 14 dhjetor me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Koka akuzohet për “shpërdorim detyre”, “korrupsion” dhe “pastrim parash”, të konsumuara gjatë lidhjes së kontratës koncesionare të inceneratorit të Elbasanit.

Sipas SPAK, në cilësinë e ministrit të Mjedisit, Koka ka shkelur ligjin gjatë procedurës për dhënien me koncesion të iceneratorit të Elbasanit te shoqëria “Albtech Energy” dhe se ka përfituar gati 3.7 milionë euro ryshfet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos