Historia që frymëzoi filmin e famshëm, prindërit bashkohen me djalin e rrëmbyer pas 14 vitesh

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2021, 10:34 | Bota
Historia që frymëzoi filmin e famshëm, prindërit bashkohen

Një çift nga Kina është bashkuar me djalin e tyre tashmë adoleshent, i cili rezultonte i humbur prej 14 vitesh, duke i dhënë fund kërkimit të tyre i cili frymëzoi një film të suksesshëm.

Sun Zhuo, sot 18 vjeç u rrëmbye në vitin 2007 në qytetin Shenzhen kur ishte vetëm 4 vjeç, por prindërit e tij nuk hoqën kurrë dorë nga shpresa se do ta gjenin sërish. Ata shitën pronat dhe gjithçka kishin për të përballuar kërkimet dhe ofruan një shpërblim prej 31 000 dollarësh për këdo që do të jepte një informacion për vendodhjen e tij. Përgjatë viteve, prindërit udhëtuan në çdo rajon të Kinës për të kërkuar të birin, i cili u gjet rastësisht nga kapja e një grupi kriminal, që rrëmbente fëmijët e më pas i jepte për birësim.

Historia e djalit në fjalë, u bë frymëzim për regjisorin Peter Chan i cili realizoi filmin "Dearest". Filmi fitoi më shumë se 50 milionë dollarë dhe solli në qendër të vëmendjes çështjen e rrëmbimit dhe trafikimit të fëmijëve në Kinë.

Nuk është e qartë se sa fëmijë zhduken në Kinë çdo vit, megjithëse vlerësimet arrijnë në dhjetëra mijëra. Sipas autoriteteve kineze, më shumë se 8000 fëmijë të rrëmbyer janë ribashkuar me prindërit e tyre në vitin 2021, me shumë raste të zgjidhura duke përdorur ADN-në dhe teknologjinë si njohja e fytyrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos