
1000 ditë pas vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç, Beogradi kërkon drejtësi dhe përpjekje më të mëdha për zgjidhjen e krimit.
Me qirinj në duar, qindra qytetarë në kryeqytetin serb i bënë homazhe politikanit të vrarë në vitin 2018 para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. Mes atyre që sfiduan të ftohtin për të ndezur qirinj në Kishën e Shën Markut, ishte Dragan Djilas, kreu i partisë opozitare të qendrës së majtë, për liri dhe drejtësi.
Sipas tij, Ivanoviç kishte qenë i gatshëm të luftonte për interesat e Serbisë, por njëkohësisht duke komunikuar me shqiptarët e Kosovës.
“Është turp që autoritetet në Kosovë dhe Serbi e gjithashtu komuniteti ndërkombëtar nuk di asnjë gjë konkrete, 1 mijë ditë pas vrasjes së motivuar politikisht”, tha Dragan Djilas.
Pas një hetimi të gjatë, autoritetet në Kosovë kanë paditur 6 persona për përfshirje në vrasjen e Ivanoviçit, por Gjykata e Apelit urdhëroi rigjykim të tyre.
Dikur i konsideruar si një nacionalist fanatik, Ivanoviç kishte evoluar në një politikan të moderuar që mbronte bashkëjetesën midis pakicës serbe të Kosovës dhe shumicës shqiptare. Ai, gjithashtu, ishte bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikën e tij ndaj qeverisë së Beogradit. Në momentin qe u vra, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjeve të shqiptarëve të Kosovës, gjatë luftës, në vitin 1999. (A2 Televizion)