Serbia tregon forcën me avionë rusë dhe dronë kinezë

Nga A2 CNN
12 Tetor 2020, 14:45 | Ballkani

Avionë luftarakë rusë, dronë kinezë, helikopterë dhe tanke, u përdorën në stërvitjen ushtarake në Pester të Serbisë, nën monitorimin e presidentit Aleksandar Vucic, ku u vunë në dukje edhe një herë lidhjet e forta ushtarake mes Serbisë dhe Kinës.

Stërvitja “Bashkëpunimi 2020” është pjesë e nismës së Serbisë për rritje të shpenzimeve ushtarake, pasi kërkon dominim në Ballkanin Perëndimor, shkruan Reuters. Buxheti për mbrojtjen në vitin 2020 u rrit në 1,14 miliardë dollarë (2,4% e Prodhimit të Brendshëm Kombëtar), po aq ishte edhe në vitin 2019, ose 43% më shumë se sa viti 2018. Për herë të parë, Serbia demonstroi përdorimin e dronëve luftarakë CH-92A, të blerë në qershor, të cilët fluturuan për herë të parë në territorin europian.

Pekini e sheh Serbinë si pjesë të nismës për rritjen e investimeve të kompanive kineze, kryesisht në projekte për infrastrukturë dhe energji me kredi të buta.

Në stërvitjen e të shtunës, morën pjesë 40 mjete fluturuese, rreth 150 mjete të rënda tokësore dhe rreth 2800 trupa. Ushtria serbe bazohet kryesisht në teknologji të ish-Bashkimit Sovjetik, por në vitet e fundit Beogradi ka blerë avionë luftarakë MiG-29 dhe armatime të tjera nga Rusia.

Serbia ka kryer stërvitje të përbashkëta ushtarake edhe me NATO-n dhe Rusinë, por në vitin 2006 ka deklaruar se është një vend neutral ushtarakisht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos