
Miq, kolegë, të afërm dhe qytetarë të thjeshtë i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit aktorit, regjisorit dhe skenaristit, Dhimitër Orgocka.
“Taqka”, siç e thërrisnin miqtë, u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare si pasojë e një hemorragjie cerebrale.
Përveç familjes dhe miqve, ndarja nga jeta e Orgockës, është një humbje e madhe edhe për artin skenik dhe kinematografik shqiptar.
Për Zamira Kitën, drejtoreshën e teatrit Andon Zako Çajupi, kjo ishte “një ditë e dhimbshme për Korçën, sepse Orgocka ishte një emblemë për të gjithë artin korçar, por edhe atë shqiptar. Të gjithë e mbajnë mend nga interpretimi i Adem Rekës, por ai nuk është vetëm ky hero, ishte heroi i çdo vepre që ka vënë në skenë, i ka vënë vulën regjisë së teatrit shqiptar”.
Dhimitër Orgocka ka lënë një pasuri të vërtetë artistike, jo vetëm me rolet e tij në skenë dhe kinematografi, por edhe si regjisor dhe skenarist i dhjetëra filmave.
Edhe pse në moshë të thyer ai kishte projekte dhe plane artistike, të cilat duhet t’i përfundojnë kolegët e tij. (A2 Televizion)