
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj e ka cilësuar propozimin e kryeministrit Edi Rama për Asociacionin, si një hap të drejtë dhe të duhur që Kosova të ulet në tryezën e bisedimeve. I ftuar në A2 CNN me gazetarin Andi Nuraj, Hoxhaj është shprehur se kjo mund të jetë një zgjidhje për të çtensionuar situatën në veri të Kosovës.
“Hap i duhur dhe i drejtë, meqë situata nuk është një situatë ku jemi duke forcuar sovranitetin e Kosovës, por përkundrazi, se atje përfaqësuesit serb kanë braktisur komunat, bashkitë, prokurorinë, do të thotë se është një kolaps dhe zgjedhjet në 23 prilitl nuk kanë prodhuar një situatë të re politike, por tensione. Kjo situatë është vepër e Serbisë dhe bandat e Vucicit kanë qëllim të destabilizimin e vendit dhe rasjonit, dhe kështu propozimin e kryeministrit Edi Rama e shoh të drejtë, si një rrugë që Kosova t’i kthehet tryezës së dialogut dhe që të çtensionohet situata në veri të vendit, që kanë qenë qëndrime amerikane dhe europiane gjatë këtyre ditëve të fundit”, tha Hoxhaj.
Nënkryetari nuk dha një përgjigje konkrete nëse e ka parë apo jo draftin, por shtoi se nuk sheh asgjë të keqe që Rama të hedhë në tryezë një propozim, mbi të cilën mund të vijojnë diskutimet. Mirëpo, ai thekson se përtej propozimeve, procesi duhet të jetë pronësi të Kosovës dhe komunitetit serb në veri të vendit.
“Është e duhur që Kosova t’i kthehet tryezës së dialogut dhe të jap maksimumin me propozimin e Ramës apo propozime të tjera, por procesi duhet të jetë pronësi të Kosovës, u takon Kurtit dhe komunitetit serb sikurse është e paraparë në marrëveshjen e prillit 2023 dhe 2015, që mund ta stabilizojë gjendjen në Kosovë”, përfundoi Hoxhaj në A2 CNN.
Ky reagim vjen pasi kryeministri Rama njoftoi sot se ka paraqitur një draft për Asociacionin e komunave serbe në veri të Kosovës, duke parë se gjendja ishte kritike. Rama tha sot se nuk është konsultuar për këtë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por nënvizoi se është punuar me ekspertë amerikanë dhe europianë. (A2 Televizion)