
Teksa Samsung konfirmoi shtatorin për hedhjen në treg të telefonit të palosshëm, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për modelin e ngjashëm të Huawei.
Kompania ka njoftuar se smarphone i ri i përthyeshëm ka nevojë për përmirësime të tjera, çka do të sjellë edhe vonesa për hedhjen në treg të modelit Mate X.
Ndërsa Huawei po përpiqet të sigurojë blerësit se dëshiron të sjellë një model të përsosur të smartphone, data e hedhjes në treg të produktit duket ende larg, duke i dhënë përparësi rivalit të tij Samsung.
Por, ky me sa duket nuk është shqetësimi i kompanisë kineze, e cila deklaron se për të me rëndësi janë konsumatorët, që të mund të marrin në fund një produkt me cilësi të lartë.
Huawei shiti 118 milionë smartphone vetëm në gjysmën e parë të këtij viti. Pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, kompania regjistroi 32.2 miliardë dollarë të ardhura në tremujorin e dytë të këtij viti, një rritje me 23% kundrejt tre muajve të parë të 2019-ës. (A2 Televizion)