
Angjelin Shtjefni është një prej mjekëve të diplomuar në vendin tonë, që është larguar prej 25 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Florida, ku ushtron profesionin e mjekut të familjes.
Por, ndonëse i larguar prej çerek shekulli, Shtjefni asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen dhe bashkëfshatarët e tij, në Fishtë të Lezhës. Për çdo vit, ai vjen në periudhën e verës dhe ndërsa të tjerët pushojnë në mal apo bregdet, Shtjefni kryen vizita falas për banorët e zonës së tij.
Një gjë të tillë bëri edhe këtë vit. Nga eksperienca e tij e krijuar ndër vite dhe vizitat që bën për bashkëfshatarët, mjeku tregon edhe nevojat që ka zona për mjek dhe mënyrën se si e presin banorët e zonës.
Shtjefni ka një këshillë edhe për mënyrën se si duhet vizituar dhe orientuar banorët për të patur një shëndet sa më të mirë dhe të jenë sa më aktivë: “Duhet të jenë të informuar për gjendjen e tyre shëndetësore dhe ushqimet që konsumojnë. Nuk duhet të jenë të varur vetëm nga medikamentet”.
Ilaçet falas është një tjetër shërbim që mjeku Angjelin Shtjefni kryen për banorët e vendlindjes së tij: “Marr informacion për pacientët me probleme ekonomike dhe mundohem t’i ndihmoj me ilaçet që u duhen”.
Edhe pas rikthimit në SHBA, Shtjefni vijon të mbajë kontakte me pacientët e tij në Fishtë, duke i ndihmuar me këshilla dhe medikamentet e nevojshme. (A2 Televizion)