Humb betejën me koronavirusin, ndahet nga jeta mjeku Drini Dobi

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2020, 21:42 | Aktualitet
Humb betejën me koronavirusin, ndahet nga jeta mjeku Drini Dobi

Një tjetër mjek ka humbur betejën me koronavirusin. Mjeku Drini Dobi nuk i ka mbijetuar dot pandemisë, edhe pse ishte dërguar për mjekim më të specializuar në Itali.

Lajmi i hidhur u bë me dije në rrjete sociale nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastarliu.

“Jam tej mase e pikëlluar për ndarjen nga jeta të një miku të mirë dhe një profesionisti të shkëlqyer, doktor Drini Dobit.

Kishim shpresuar shumë, deri në çastet e fundit, se Doktor Drini do t’ia dilte ta fitonte këtë betejë për jetën, ashtu siç ia kishte dalë me mijëra herë të fitonte betejat për pacientët e tij.

Jam pranë Floridës, familjes dhe kolegëve të Drini Dobit në këto momente të trishtueshme. Dhimbja është e madhe në këto momente kaq të hidhura për të gjithë. U prehsh në paqe Doktor Drini”, shkruan Manastirliu.

Pak ditë më parë, familjarë të Dobit kishin bërë apel dhe thirrje për të mbledhur sa më shumë fonde për kurimin e tij në Itali. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos