Humbjet e PD, selia e shkatërruar jo vetëm nga disfatat elektorale

Nga A2 CNN
18 Mars 2022, 19:26 | Politikë
Humbjet e PD, selia e shkatërruar jo vetëm nga disfatat elektorale

Dëmet e Partisë Demokratike nuk janë vetëm elektorale, por edhe materiale. 8 janari ishte paralajmërimi se situata brenda shtëpisë blu nuk do të gjente qetësi.

Dy muaj pasi arriti të mbante selinë, Lulzim Basha mori goditjen që duket përfundimtare, dalja forcë e tretë dhe humbjen jo vetëm përball Ramës, por edhe Berishës, i cili mori besimin e Shkodrës.

Zgjidhjen Lulzim Basha nuk e ofron vetëm për t’u pajtuar me Komisionin e Rithemelimit, por edhe me të besuarit e tij që i dolën kundër në të dyja mbledhjet e grupit parlamentar të zhvilluara pas 6 marsit. 

Kaosi brenda PD-së reflektohet më së miri edhe nga gjendja në të cilën ndodhet selia e demokratëve. Lulzim Basha vijon ta mbajë të blinduar rrugën drejt zyrës së tij duke i ndryshuar edhe portën partisë. 

Demokratët duhet të bëjnë disa hapa tej hyrjes kryesore për t’u ngjitur në katin e dytë të kësaj selie, por sërish duhet të kalojnë pengesën e një dere të fortifikuar në pjesën e pasme të godinës qëndrore të demokratëve.

Ata që i dolën kundër Lulzim Bashës që pas vendimit të 9 shtatorit duket se nuk kanë më vlerë për partinë demokratike. Sapo futesh në katin e parë ajo që bie në sy është një bibliotekë që mban arkivat e gazetës “Rilindja Demokratike”. Ajo është hedhur tej në një cep, bashkë me memorien 30-vjeçare të partisë që solli demokracinë në Shqipëri.

Të njëjtin fat ka edhe zyra e forumit rinor të demokratëve. Mbyllja e dyerve është e shoqëruar edhe me shkrirjen  e strukturave të FRPD, zgjedhje për të cilat Lulzim Basha premtoi se do t’i mbyllte në nisje të këtij viti.

E njohur për vite me radhë si simbol i lirisë, selia e Partisë Demokratike, 3 dekada pas rrëzimit të diktaturës komuniste, ngjason sot më shumë me një bunker që do të mbrojë banorin e saj nga armiku i jashtëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos