
Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit Shtetëror të Miçiganit u shfrytëzua nga Kryeministri për të shprehur disa pakënaqësi që duket se kishte krijuar me amerikanët. Mes notave ironike, humorit dhe mesazheve të koduara, kreu i qeverisë mori si shembull rastin e emigrantëve afganë, për t’i thënë hapur ambasadores amerikane çfarë mendonte.
“Kanadaja ka marrë një pjesë të madhe, edhe SHBA po merr, jo aq sa premtuan, por një pjesë se e kanë zakon që premtojnë shumë e bëjnë më pak seç premtojnë”, tha Rama.
Në fillim, Yuri Kim e ndoqi duke vënë thjesht buzën në gaz, ndërsa Rama vijoi: “Po qe puna për standard, vlera dhe predikime i kemi këtu, nuk ka ditë-natë. Na japin me bujari të madhe se çfarë duhet të bëni. Por kur vjen puna te këto gjërat konkrete japin po me çik më me kujdes, se nuk kanë të shkretët, se nuk janë në pozitë që të japin shumë”.
Kreu i qeverisë, që shquhet për batuta spontane e transferoi shakanë në një tjetër nivel, duke krahasuar aktivitetin me raportimet që bëheshin pranë sekretarëve të partive në kohën e monizmit. “Më pëlqeu shumë pjesa kur tha Rektori se ju garantojmë. M'u kujtua koha kur vinte sekretari i partisë nga komiteti dhe thoshte dekani i vjetër se ju garantojmë shoku sekretar i komitetit të partisë që do të punojnë që të bëjnë krenarë partinë dhe popullin. Dhe ne ju garantojnë. Faleminderit shumë, këto kisha unë”.
E habitur, diplomatja amerikane i kthehet duke e pyetur çfarë është që nuk shkon me të?
Rama: Falemindeit shumë, këto kisha unë. Suksese dhe rroftë miqësia shqiptaro-afgane.
Yuri Kim: Çfarë problemi ka me ty?
Mikrofonat u fikën për disa çaste për t’u rindezur më pas. Sikletin e shkaktuar nga Kryeministri, Kim ia faturoi përkthimit, por përsëri nuk e ndali ironinë e Ramës.
Yuri Kim: Jam e sigurt se nuk ishte përkthimi i duhur. Dëgjova diçka shumë të çuditshme.
Rama: Sigurisht! Është faj i përkthyesit shqiptar. Pushojeni nga puna. Ja do të pushohet përkthyesi tani! (A2 Televizion)