
Partia Demokratike ka dërguar në SPAK një kallzim të gjatë, thuajse 80 faqe, të mbushur me 112 prova, sipas PD-së, “në lidhje me grupin e strukturuar kriminal, që ka punuar për abuzimin e 430 milionë eurove të lidhur me inceneratorët.
Sipas nënkryetares së PD-së, Jorida Tabaku, ky kallzim penal është “kurorëzimi i një pune të gjatë dhe voluminoze të kryer nga komisioni hetimor i inceneratorëve dhe mbi të gjitha nga Partia Demokratike”.
“E vërteta shpaguhet”, u shpreh Tabaku, ndërsa po i prezantonte mediave se si skema e kompanive të kryesuara nga 3 persona, me lidhje tejet të ngushta në qeveri, ka mundur të sigurojë 3 kontrata me vlerë 430 milionë euro.
Siç edhe kishte premtuar më parë, pas përfundimit të dërgimit të raportit në seancën plenare, nënkryetarja e PD-së dhe njëkohësisht kryetarja e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve, deklaroi sot se PD po çon në SPAK një kallëzim penal për 50 persona, në kuadrin e Grupit të Strukturuar Kriminal.
Tabaku i bëri një apel SPAK-ut: “Të mos ketë dosje të veçanta për hetimin. Të hetohen në një hetim të vetëm. Grupi ka funksionuar si një i vetëm. Kompanitë kanë marrë kredi bankare dhe janë pa eksperiencë. Të hetohen së bashku të 50 individët. Janë po të njëjtët individë që kontrollojnë dhe zbatojnë kontratat”. (A2 Televizion)