I dënuar për prostitucion në Milano, arrestohet në Rinas 38-vjeçari nga Vlora

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2023, 10:41 | Kronikë
I dënuar për prostitucion në Milano, arrestohet në Rinas

Një 38-vjeçar nga Vlora është vënë në pranga në Rinas me qëllim ekstradimin në drejtim të Italisë, aty ku rezulton i dënuar me 8 vite burg.

Personi i arrestuar është shtetasi Dritan Hyka banues në Selenicë, Vlorë. Ai është dënuar për shfrytëzim prostitucioni në Milano.

“Në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 8 vjet burgim, në Itali, për disa vepra penale, kapet dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin, 38-vjeçari nga Vlora. Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të punës për verifikimin e detajuar të dokumenteve të shtetasve që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSh-së, kanë kaluar për verifikim të detajuar të dokumenteve, shtetasin Dritan Hyka (Asimaj), 38 vjeç, banues në Selenicë, Vlorë.   

Pas verifikimeve të kryera nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, ka rezultuar se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Milanos e ka dënuar me 8 vjet burgim, për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni”, “Trafik droge”, “Vjedhje banese, në tentativë” dhe “Shkelje e ligjit për migracionin”, parashikuar nga legjislacioni penal i Italisë. 

Gjatë vitit 2012, ky shtetas ka shfrytëzuar prostitucionin e një numri të madh femrash shqiptare dhe rumune, në Milano, Itali. Gjithashtu është përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike kokainë, ka mbajtur pa leje armë zjarri pistoletë, në ambiente publike, dhe ka tentuar të vjedhë në një apartament, por nuk ka mundur për shkak të ndërhyrjes së Policisë. Në vitin 2009, ka shkelur ligjin për migracionin, pasi nuk ka zbatuar vendimin për të mos hyrë në Itali, për 10 vjet”, njofton policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos