"Jeta e Veliajt në rrezik”, PD: SPAK të hetojë Edi Ramën, Toni Gogun dhe Arbër Hajdarin

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2026, 22:14 | Politikë

Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit në media të një letre të Erion Veliajt nga qelia, në të cilën ky i fundit pretendon se është kërcënuar pas transferimit në burgun e Fierit.

Partia Demokratike i ka cilësuar këto pretendime si kërcënime mafioze dhe ka kërkuar nisjen e një hetimi urgjent nga organet e drejtësisë. 

Demokratët akuzojnë gjithashtu se SPAK po përdoret si instrument shantazhi në përplasjet brenda mazhorancës, ndërsa kërkojnë hetimin e kryeministrit Edi Rama, ministrit Toni Gogu dhe Arbër Hajdarit.

DEKLARATA E PD 

Sot mediat publikuan letrën nga burgu të Erion Veliajt, në të cilën ai shkruan se, pas transferimit në burgun e Fierit, Edi Rama i ka dërguar atij në qeli Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe i ka kërkuar të dorëzojë bashkinë te hajduti i damkosur Arbër Hajdari, ose të përballet me 100 vjet burg për prishje të rendit kushtetues dhe financim të ‘Flamingove’.

Partia Demokratike e Shqipërisë deklaron se:

Kërcënimet mafioze ndaj të burgosurit Erion Veliaj janë dëshmi e fytyrës së vërtetë prej kreu të organizatës kriminale (padrino) të Edi Ramës.

Kërcënimi mafioz i të burgosurit Erion Veliaj nga kreu i organizatës kriminale, Edvin Kristaq Xhelati, dëshmon se jeta e të burgosurit Erion Veliaj në burgun e Fierit është në rrezik tejet serioz.

Ky akt skandaloz dëshmon se SPAK-u nuk po përdoret më si kërbaç vetëm për opozitën dhe mburojë për të korruptuarit, por, më keq akoma, si instrument shantazhi i luftës brenda llojit të bandës në pushtet.

Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe kërcënimin në qeli të të burgosurit Erion Veliaj dhe kërkon hetim urgjent për këtë akt kriminal të Edi Ramës, Toni Gogut, si dhe të hajdutit të damkosur Arbër Hajdari, që kërkon të marrë në rrugë antiligjore dhe antikushtetuese Bashkinë e Tiranës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos