I kërkoi ndjesë, Conte ka një përgjigje për Von der Leyen

Nga A2 CNN
3 Prill 2020, 16:42 | Bota
I kërkoi ndjesë, Conte ka një përgjigje për Von der

Përçarjet në Bashkimin Evropian lidhur me aprovimin e masave për të luftuar tronditjen ekonomike që ka shkaktuar emergjenca koronavirus janë akoma të forta. Kryeministri italian, Giuseppe Conte, i është përgjigjur letrës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, e cila tentoi të shuante polemikat e nxitura nga kundërshtimet e forta për planin “Coronabond” të propozuar nga vendet më të prekura të bllokut.

“BE është në udhëkryq”, shkruan shefi i qeverisë së Romës në një artikull në gazetën “La Repubblica”, ndërsa shtron pyetjen se çfarë është në gjendje të bëjë Unioni për të shpëtuar vetveten. Conte falënderon Von Der Leyen për mesazhin e ngrohtë karshi Italisë, ndërsa e sfidon Evropën që të tregojë më shumë ambicie, guxim dhe unitet. “Fjalët e tua, janë provë që përkushtimi i italianëve ka tronditur ndërgjegjen e të gjithëve, duke tejkaluar kufijtë kombëtarë e detyruar refleksionin më urgjent: çfarë është në gjendje Evropa të bëjë, jo për Italinë, por për vetveten”, shkruan Conte.

Ai kritikon disa liderë të BE-së, pa përmendur emra konkretë, duke thënë se nuk janë në lartësinë e detyrës që kanë në ngarkim. “Përballë një stuhie si ajo e Covid-19, që na prek të gjithëve, nuk duhet një shpëtimtar për Italinë, duhet një varkë shpëtimi solide, Evropiane, që udhëheq vendet tona të bashkuara në tejkalimin e situatës”, shkruan kryeministri italian në letrën e tij të hapur.

Ai përshëndet propozimin e Komisionit Evropian për të ndihmuar vendet me një plan ekonomik prej 100 miliardë eurosh, para të cilat do të shkojnë kryesisht për ata që janë pa punë në këtë periudhë të vështirë. Megjithatë shprehet se kjo shifër është shumë e ulët dhe nuk mjafton për të ndihmuar bizneset e vogla dhe të mesme. Conte këshillon që të ndiqet shembulli Amerikan, që lëvroi një fond emergjence prej 2 trilion dollarësh për të përballuar krizën e rëndë në ekonominë e vendit. “Është koha për të shfrytëzuar potencialin e plotë të familjes evropiane”, përfundon kryeministri Italian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos