I kërkuar nga SHBA për “trafik droge” e “pastrim parash”, Gjykata e Tiranës le në burg shqiptaro-malazezin

Nga A2 CNN
3 Shtator 2021, 11:33 | Kronikë
I kërkuar nga SHBA për “trafik droge” e “pastrim

Në një seancë që zgjati vetëm pak minuta, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Leksi Vulajn, shqiptarin nga Mali i Zi, i kërkuar nga DEA amerikane për “trafik droge” dhe “pastrim parash”.

Vulaj nuk dha asnjë deklarim para trupit gjykues, por përmes avokatit të tij, Detar Hysi, kërkoi një masë më të butë sigurie. Izolimi në qeli i tij u bë me qëllim shqyrtimin e kërkesës për ekstradimin e tij drejt SHBA, që pritet të ndodhë brenda një afati 40-ditor.

41-vjeçari Vulaj u arrestua më 31 gusht në rrugën nacionale Tamarë-Hani i Hotit, pak pasi ishte futur në territorin shqiptar nga Mali i Zi. Ai kërkohej nga drejtësia amerikane, pasi në 9 qershor 2021 Gjykata e Miçiganit kishte caktuar një masë sigurisë “arrest në burg” për të për akuzën e “trafikut të lëndëve narkotike” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Sipas palës amerikane, Vulaj drejtonte trafikun e drogës në një zonë të Detroitit nga Tuzi i Malit të Zi. Emri i tij u shënjestrua nga DEA, pas deklarimeve të një të penduari të drejtësisë. Me interes për hetimin janë konsideruar edhe disa komunikime mes tij dhe partneres, që dyshohet të jetë përfshire në pastrimin e parave. Në momentin e arrestimit Vulajt iu sekuestrua automjeti “Jepp Cherokee”, si edhe një shumë prej 50 mijë dollarë që kishte me vete. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos