I lindur në kohën e gripit spanjoll, 101-vjeçari italian del nga spitali pasi shërohet nga koronavirusi

Nga A2 CNN
27 Mars 2020, 16:47 | Bota
I lindur në kohën e gripit spanjoll, 101-vjeçari italian del

Një burrë 101-vjeçar ka dalë nga spitali pasi është shëruar nga koronavirusi, tha Gloria Lisi, nënkryetarja e Bashkisë së Riminit.

I moshuari, emri i të cilit nuk është bërë publik, u shtrua në spitalin e qytetit verilindor javën e kaluar, pasi testi për Covid-19 rezultoi pozitiv. Por të enjten, ai ishte shëruar. Lisi tha se ky rikuperim ishte vërtet i jashtëzakonshëm, që jepte shpresë për të ardhmen. "Zoti P. ia doli. Familja e mori në shtëpi të enjten në mbrëmje. Kjo na mëson se edhe e ardhmja e një 101-vjeçari nuk është e paracaktuar”, tha ajo.

Ajo që e bën edhe më të veçantë historinë e tij është fakti që ka lindur në vitin 1919, gjatë pandemisë së gripit spanjoll, që vlerësohet se i ka marrë jetën 30-50 milionë personave.

Në Rimini janë regjistruar 1189 raste me koronavirus, sipas departamentit të Mbrojtjes Civile, ndërsa e gjithë Italia është një ndër vendet më të prekur nga pandemia, me numrin më të lartë të vdekjeve në të gjithë botën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos