I mori jetën vrapuesit në pyll, pas "arrestimit" pezullohet dënimi për vrasjen e ariut "Jj4"

Nga A2 CNN
26 Maj 2023, 13:50 | Bota
I mori jetën vrapuesit në pyll, pas "arrestimit" pezullohet

Gjykata Administrative e Trentos në Itali ka pezulluar deri më 27 qershor dekretin për vrasjen e ariut “Jj4”, i cili u "arrestua" pasi i mori jetën më 5 prill, teksa ishte duke vrapuar përgjatë një parku në Dolomite, 26-vjeçarit Andrea Papi.

Shoqatat që kishin bërë ankimim për çështjen pasi autoritetet njoftuan se do të vrisnin ariun janë shprehur shumë të kënaqur për rezultatin e arritur.

Gaia (Jj4) aktualisht është e sigurt dhe ne shpresojmë dhe besojmë fuqishëm se ajo do të vazhdojë të jetë. Dhe si ajo, arinjtë e tjerë do të vazhdojnë rrugën e ndërmarrë në mënyrë që kafshët të mos bëhen më “koka turku” për gabimet njerëzore”, thanë dy avokatët mbrojtës në çështjen e ariut vrasës.

Ndërkohë, pritet që edhe më 27 qershor të mos ketë një vendim përfundimtar për historinë e Gaia-s.

Në ditët në vijim, shoqatat mjedisore në fakt do të paraqesin dokumente të reja në përpjekje për të shpëtuar ariun që Provinca Autonome e Trentos, përmes presidentit Maurizio Fugatti, ka vendosur ta vrasë pasi analizat në trupin e Andrea Papit konfirmuan se ishte ajo që e sulmoi teksa ai vraponte në park.

Dokumentet që do të paraqiten nga shoqatat, konkretisht do të kenë të bëjnë me destinacionet e mundshme ku mund të transferohet kafsha.

Sakaq, TAR e Trentos duke urdhëruar pezullimin e vrasjes, kërkon të verifikohet dinamika e sulmit nga ariu Jj4 ndaj Andrea Papit.

Edhe pse ka arsye për të besuar se sulmi i të riut Andrea Papi varej nga prania e këlyshëve që ndiqnin ariun, ende nuk ka asnjë gjurmë të hetimeve të kryera nga Provinca në lidhje me këtë detaj”, thuhet në konstatimin e gjykatës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos